Në 4 korrik 2024 dy anijet “Compton” dhe “Candor”, të ngarkuara me 102 kontenierë me mbetje të rrezikshme toksike, u nisën nga porti i Durrësit për në Tajlandë. Operacioni i ngarkimit të tyre drejtohej nga dy gra të reja rreth të dyzetave, Gjovana dhe Olizana.
Ngarkimin e mbetjeve nëpër anije dhe sigurimin e gjithë lëvizjes së mallit e bënin vëllezërit dhe kushërinjtë e tyre, Armando, Frangu, Andrea, etj., një grup i ngushtë burrash, të gjithë të një linje gjaku.
Kol dhe Age Pemati nga Iballa e Pukës lindën shumë fëmijë, por më të shkathët u bënë dy vajzat e tyre. Gjovana u martua me pinjollin e familjes së Gjelosh Sokolajt nga e njëjta zonë, të persekutuar nga regjimi komunist dhe të arratisur herët në ish-Jugosllavi.
Doni Sokolaj, i lindur në Rijeka të Kroacisë u martua me Gjovanën me të cilën kanë dy fëmijë.
Mundësia për biznesin e “mbetjeve” filloi të ravijëzohej në minierat e rrethit të Pukës në bisedat me turqit, njohja me Serdar Can Hakliol, takimet në Rijeka me bisnesmenë dhe më pas shtrirja e një linje trafiku ndërkombëtar që u pikas së fundmi nga organizata “Basel Action Network”.
Gjovana dhe Doni Sokolaj, burrë e grua, luajtën me shtetësinë kroate që është vend e BE-së dhe atë shqiptare.
Krijuan dy kompani: “GSS Mineral DOO” në Kroaci dhe “Sokolaj shpk” në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit përvç kontrabandës me mbetjet ka nisur edhe një hetim pasuror për “kroaten” Gjovana (Pemati) Sokolaj, duke qenë se ajo drejton dy shoqëri në dy shtete të cilat bënin transaksione me njëra-tjetrën, ku administratorja shfaqej një herë kroate dhe një herë shqiptare.
“Sokolaj Shpk” me NIPT K64312403D u themelua më 10 korrik 2006 nga çifti Sokolaj, fillimisht për të bërë biznes me shitjen e mallrave industriale (goma të përdorura) të ndryshme që silleshin nga Kroacia ose vendet rreth saj.
Në maj 2013 del në skenë turku Serdar Can Hakliol, i cili i futi motrat Pemati në rrugën e trafikimit të mineraleve nga minierat e Pukës dhe Bulqizës dhe më pas tek bashkëpunimi me “Kurum”.
Gjovana dhe Olizana u zhvendosën në Durrës, aty krijuan rezidencën dhe më pas një perandori të padukshme të trafikut ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
Linja Kroaci-Durrës, nëpërmjet GSS Mineral DOO-Sokolaj, ka funksionuar për së paku 5 vitet e fundit. Procesi i blerjes së mbetjeve nga “Kurum”, transporti dhe kalimi në port, bëhej i gjithë nga burrat e familjes Pemati, të komanduar nga dy motrat Gjovana dhe Olizana.
Olizana Pemati, në vitin 2020 futet edhe në strukturat e ASHK Kavajë, me qëllim sistemimin nga brenda të transaksioneve me pronat që dy motrat do fitonin nga biznesi fitimprurës i “mbetjeve”.
Duke u futur thellë në botën e trafikut të mbetjeve, me pasjen në dorë të lidhjes së marrëveshjeve dhe kontratave me kontrabandistët ndërkombëtarë, motrat Pemati filluan të komandojnë një lojë shumë më të madhe se sa fillesat e një biznesi të thjeshtë me “goma makinash”.
Në kulmin e hetimeve dhe vëmendjes ndërkombëtare për atë që do të ndodhë me dy anijet në Tajlandë, motrat Pemati krijojnë më 26 gusht kompaninë “GG & OV” me NIPT M42026502M.
Lehtësia që të ofron legjislacioni shqiptar për regjistrimin e kompanive bën që Olizana Pemati, vetëm me 100 mijë lekë të vjetra të krijojë një kompani për “grumbullim, depozitim të mineraleve të kromit, bakrit dhe transportit tek të tretët me logjistikë” vetëm me 100 euro, ndërkohë që synimi është fitimi i 100 milion eurove.
Në këtë kohë me rrezik të plotë nga hetimet kombëtare dhe ndërkombëtare, motrat Pemati ndërmarrin një aventurë për të hapur një shoqëri të re për të vazhduar kontratat dhe trafikun e vjetër, meqenëse kompania “Sokolaj shpk” është bllokuar nga hetimet.
Lëvizja me “GG & OV Shpk” duket si një lëvizje e detyruar e dy “mbretëreshave” pukiane të trafikut të mbetjeve toksike. Kush po i detyron?/Prapaskena