Kronikë

Trafiku i rënduar/ Likaj: Duhet një studim konkret mbi lëvizjen e mjeteve! Nazarko: Institucionet kryesore të ‘shpërndahen’ në qytete të tjera

10 Qershor, 14:44| Përditesimi: 10 Qershor, 18:42

  • Share

Trafiku i rënduar në kryeqytet por edhe në zona të tjera të vendit është një problematikë ndaj të cilit nuk është dhënë zgjidhje. Për të diskutuar për zgjidhje të mundshme, të ftuar në “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, ishin inxhinieri rrugor Romeo Nazarko dhe eksperti rrugor Fadil Likaj.

Inxhinieri Nazarko thotë se një ndër problematikat që shkakton trafikun e rënduar në Tiranë, përveç rrugëve, është edhe shpopullimi i zonave periferike dhe orientimi i popullsisë drejt kryeqytetit.

“Rrugë po bëjmë por janë një pjesë e këtij trafiku. Jo të gjithë trafikun e sjellin rrugët, por edhe politikat që shteti ndjek. Një ndër ta është shpopullimi i periferisë së Shqipërisë dhe orientimi i banorëve për të jetuar në Tiranë. Këtu shteti dhe qeveria është marrë peng nga biznesi i ndërtimit. Për të ndërtuar sa më shumë pallate dhe shitur sa më shumë apartamente përgatit vendime qeverie dhe ia ofron qeverinë për t’i dhënë formë ligjore.", thotë inxhinieri.

Sipas tij, duhet të ketë edhe një "shpërndarje" të institucioneve kryesore nëpër qytete të tjera, për të bërë të mundur edhe orientimin e popullsisë.

"Për shkak se zona e Astirit është e  mbipopulluar dhe nuk ka shkolla, banorët duhet t'i shpërndajnë fëmijët nëpër shkolla. Kur ndërton një lagje, ndërton shkolla dhe s'do të ketë trafik. Këtu nuk ndërtohen shkolla dhe çerdhe por pallate. Gjithë Shqipëria po shpopullohet dhe po jetojnë të gjithë në Tiranë, ndaj ka trafik", theksoi ai.

"Së pari është rikthimi i institucioneve pranë vendeve të tyre, shpërndarja e ministrive. Pse duhen të gjitha në Tiranë. Psh ministrinë e Kulturës në Shkodër, e Arsimit në Korçë, të Bujqësisë në Lushnje. Kemi rastin e Turqisë. S’do të thotë se ministritë duhet të jetë pranë kryeqytetit", shtoi Nazarko. 

Ndërkohë, eksperti Likaj thotë se një ndër shkaqet kryesore të trafikut është mungesa e rrugëve alternative dytësore. Zgjidhja alternative është shpërndarja e fluksit në zona të caktuara, por për një zgjidhje afatgjatë, thotë ai, duhet një projekt konkret për trafikun dhe studim mbi lëvizjen e mjeteve.

"Shpërndarja e fluksit në zona të caktuara. Nëse do të shkosh në Fresk apo Kamëz jepi disa alternativa dhe kjo bën shfryrjen e trafikut. Nuk mundet që të kemi vetëm një rrugë, vendos policë e gjithçka, nuk zhbllokohet. Por mënyrën sesi do të ideohet do një projekt konkret mbi trafikun dhe studimin e lëvizjes së mjeteve qoftë në zonë urbane. Duhet të bashkëveprojnë një sërë mekanizmash në projektin e trafikut", u shpreh Likaj.

Një tjetër problematikë që Likaj adreson janë edhe daljet nga autostradat dhe rrugët kryesore. Sipas tij, dalja nuk duhet të jetë vetëm me një korsi, por duhet të bëhet në varësi të fluksit të automjeteve që sjell një rrugë e caktuar.

"Kur rruga kryesore  të sjell tre mjete dhe daljen e bën 1 padyshim që do të rritet trafiku dhe koha e trafikut. Kjo rrit edhe probabilitetin për të ndodhur aksidente. Nëse daljet do të ishin bërë konform vendit, ku do të implementohen këto lloj projektesh, kjo do ta ulte mundësinë e trafikut. Pse nuk kemi trafik te TEG, kemi dalje me dy korsi. Gjatë të dielave mund të kemi një rast, por maksimumi 2-3 minuta shfryhet i gjithë trafiku", theksoi ai.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?