Sociale

Trafiku i rënduar në Tiranë/ Report TV ‘udhëtim’ me taksistin, ‘zonat e kuqe’ që shkaktojnë kaos në kryeqytet! PAMJET me dron

9 Qershor, 14:58| Përditesimi: 9 Qershor, 15:49

  • Share

Trafiku i rënduar është një problematikë që ‘prek’ çdo ditë qytetarët apo drejtuesit e mjeteve që lëvizin nëpër Tiranë.

Gazetarja Joana Preja ka intervistuar Eldi Merollin nga Lux Taxi, i cili teksa lëviz nëpër kryeqytet, shpjegon edhe “pikat e kuqe” që krijojnë trafik dhe bllokojnë qarkullimin e mjeteve. 

Duke ecur nëpër rrugën e Kavajës, taksisti thotë se është një ndër zonat më problematike të kryeqytetit, dhe që mbart trafik gjatë gjithë ditës. Faktorët, thotë ai, janë të shumtë. 

"Aktualisht jemi në rrugën e Kavajës, është një aks kryesor që lidh Kombinatin me qendrën e Tiranës, segment që gjatë ditës mbart trafik, është e vështirë të lëvizësh nga zonat afër 21 dhjetorit për në qendër se ka trafik, ka shumë faktorë. Kemi shumë hapësirë duke filluar nga këmbësorët. Këmbësorët dhe drejtuesit e mjeteve kanë pjesë fajin e tyre, nga kalimi te vijat, papërgatitja e drejtuesit për të kuptuar qytetarin. Normalisht duke qenë se ka shumë vija të bardha dhe shumë problematika midis hapjes së semaforit, ndërkohë që hapet jeshili për të devijuar në një kryqëzim djathtas, hapet edhe semafori për këmbësorët. Kjo e çrregullon sistemin e trafikut, kalojnë shumë njerëz në një pjesë dhe duhet të presim sa të kalojë qytetari."

Ai thotë se përqendrimi i trafikut është më i madh të hënave, të martave dhe të mërkurave, kryesisht në mëngjes, në oraret e përfundimit të punës dhe kur përfundojnë mësimin nxënësit. Zonat më problematike sipas tij janë zona nga Farmacia 10 te stacioni i trenit, Astiri dhe rruga e Kavajës.

"Nga farmacia 10 te stacioni i trenit është zonë problematike. E dyta është zona e rrugës së Kavajës, dhe Astiri. Zona e Astirit krijon dhe mund të ketë gjatë ditës 3-4 orë pushim por shumicën e kohës krijon trafik se mjetet vijnë nga autostrada Durrës-Tiranë."

Problematikë sipas tij është edhe rruga e Elbasanit.

“Problematikë është nga Rrethi i kuq i Saukut për të ardhur Fakulteti Ekonomik. Për 500 metra apo 1 km, duhet të presësh më shumë se 30 minuta. Edhe kjo është zonë e kuqe që gjithmonë është problematike por edhe ajo ka sezon. Çdo kryqëzim që ka trafik ka sezonin e vet", tha taksisti.

Report Tv sjell edhe pamjet me dron, ku një prej zonave më problematike është ajo e Kthesës së Kamzës, me trafik të rënduar apo edhe aksi Tiranë-Durrës dhe rruga dytësore Durrës-Tiranë. 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket situata e trafikut në vend?