Report Tv ka trajtuar ditën e sotme çështjen e trafikut në kryeqytet duke sjellë dhe në vëmendje rëndimin e fluksit të automjeteve disa ditë më parë në akset e Tiranës.
Për orë të tëra dy ditë më parë në segmentin e Unazës së Madhe së kryeqytetit dhe në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës kishte një trafik të rënduar.
Nga Liqeni Artificial deri te kthesa e Rinasit ka pasur vështirësi të mëdha qarkullimi, me qytetarët që udhëtonin drejt Durrësit. Për shkak të këtij kaosi, shoferëve iu duhej minimalisht 90 minuta për të arritur të aeroportin e Rinasit.
I ftuar në Report Tv, Sot Shqipëria Live për të folur për çështjen e trafiku në kryeqytet, ka qenë eksperti rrugor Arben Luzi.
Luzi ka vendosur theksin se shkaku kryesor sipas tij është mungesa e zgjidhjes për hyrjen dhe daljen në Unazë.
Nga ana tjetër eksperti ka shpjeguar se nuk është punuar për të ndërprerë fluksin e makinave edhe pse është bërë investimi në Unazën e Madhe.
"Ju thatë që janë ndërtimet shkaku. Në fakt ndërtimet kanë atë kusurin e vetë që makina të frenohen në ecje, nuk do ecin më me shpejtësinë e autostradës dhe me shpjetësinë e lejuar Tiranë-Durrës, por jo me 60 me 50, apo të ndalojmë fare. Është dhe edukata në ecje e drejtuesve të mjeteve. Nuk e kuptoj pse korsia e krahut të majtë të bllokohet, mirë ajo e krahut të djathtë është e kuptueshme sepse kemi ndërfutje të mjeteve. Po korsia pse duhet të bllokohet. Në atë korsi duhet të ecin me 50 deri në 60 km orë. Në këto raste kur kryen punime sepse është një korsi afër trafik ndarësit, korsi në të cilën nuk ka pengesa të tjera. Ecja e tyre nuk do të ketë më bllokim. Se nëse bllokohemi te sheshi Shqiponja, bllokimi do të vijojë deri tek ‘Plepat’ në Durrës. Bllokimi i korsisë së majtë, që njihet si korsia e shpejtësisë është një arsye që ndikon në trafikun e rënduar.
Nga ana tjetër Luzi tha se shqiptarët nuk e kanë ende kulturën për të përdor transportin publik dhe sipas tij duhet të shtohen rrugë dhe për këmbësorët
"Duhen kalime në disnivel, edhe për këmbësorët edhe për mjetet e tjera. Do s’do një ndalesë në trafik. Ne nuk kemi kulturën për të përdorur transportin publik. Një nënkalim te ai rrethrrotullim sjellë një ngarkesë të madhe."-tha Luzi.
Komente
