Atletja e patinazhit artistik, Julia Marie Gaiser ka humbur jetën në një aksident tragjik në Salzburg, Austri, pasi u përplas nga një kamion në një kryqëzim. Ekipet e emergjencës tentuan ta rikthenin në jetë, por 23-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje. Autoritetet kanë hapur një hetim dhe shoferi i kamionit rezultoi negativ për alkool.
Kryebashkiaku i Salzburgut, Andreas Jungmann, shprehu ngushëllime për familjen dhe e cilësoi humbjen si një tronditje të madhe për botën e sportit. Fansat reaguan me mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.
Gaiser përfaqësoi më parë Italinë, para se të kalonte në ekipin e Austrisë dhe të bëhej pjesë e 'Eis Team Salzburg', me të cilin fitoi tre tituj radhazi në 2023, 2024 dhe 2025. Ajo filloi patinazhin në moshën tetë vjeçare dhe gjatë karrierës së shkurtër u vlerësua për pasionin dhe arritjet e saj mbi akull.
Komente
