Të paktën 36 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një shtypjeje masive që ndodhi gjatë një tubimi elektoral në shtetin jugor indian Tamil Nadu, raporton e përditshmja “The Hindu”, duke cituar ministrin e Shëndetësisë së shtetit, Ma. Subramanian.
Incidenti ndodhi gjatë një aktiviteti të mbajtur nga aktori i njohur dhe tashmë politikan Vijay, i cili po zhvillonte fushatën për partinë e tij politike Tamilaga Vettri Kazhagam, në prag të zgjedhjeve shtetërore të planifikuara për fillimin e vitit të ardhshëm.
Politikani Senthil Balaji foli me gazetarët jashtë një spitali lokal për të konfirmuar vdekjet dhe shtoi se më shumë se 50 persona të tjerë ishin plagosur.
Sipas BBC, turma e madhe që kishte ardhur për të marrë pjesë në aktivitet ka shkaktuar një kaos të papritur, që përfundoi tragjikisht me dhjetëra viktima dhe të lënduar.
Kryeministri indian Narendra Modi reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke e quajtur incidentin “thellësisht të dhimbshëm” në një postim në rrjetin X.
Komente
