Sportisti italian, Mattia Debertolis ndërroi jetë këtë të martë, katër ditë pasi pësoi një rrëzim të rëndë gjatë finales së garës së distancës së mesme për meshkuj në Lojërat Botërore që po zhvillohen në Chengdu në Kinë.
Aksidenti ndodhi të premten gjatë garës, ku 29-vjeçari pësoi dëmtime fatale dhe u gjet pa ndjenja nga organizatorët.
Pavarësisht kujdesit të menjëhershëm mjekësor që iu dha në një nga institucionet më të njohura mjekësore në Kinë, Debertolis nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë katër ditë pas incidentit ndërsa aktualisht shkaku i vdekjes së tij nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Tom Hollowell, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Orientimit (IOF), shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e sportistit italian, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e tij në sport.
Mattia Debertolis jetonte në Suedi, ku po ndiqte studimet për doktoraturë në një universitet të Stokholmit dhe ishte i diplomuar si inxhinier ndërtimi. Ai ishte pjesë e ekipit kombëtar italian dhe kishte arritur të renditej i pesti në finalen e Kupës së Botës në vitin 2022.
Organizatorët e Lojërave Botërore kanë njoftuar se do të vazhdojnë të mbështesin familjen e Debertolis dhe komunitetin e orientimit në çdo mënyrë të mundshme gjatë këtij momenti të vështirë.
Komente
