Mirditë- Po punonin për të çuar energjinë elektrike në një qendër votimi në Kodër-Rrëshen të Mirditës, humb jetën një eletricist 37-vjeçar dhe dëmtohen dy të tjerë.
Viktimë mbeti Emiljano Bunga, 37 vjeç, si dhe u plagosën dy kolegët e tij, Zef Paçuku 60-vjeç dhe Tonin Dushi, 58-vjeç, të cilët pësuan dëmtime të lehta dhe u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Mirditës, ku fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gazetari i Report Tv, Elvis Hila, informon se menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë dhe grupi hetimor shkuan në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale, ku po punohet për të përcaktuar nëse kanë ndodhur shkelje të protokolleve të sigurisë teknike gjatë punimeve dhe për të identifikuar shkaqet e sakta që çuan në këtë aksident në punë me pasoja fatale.
Nga të dhënat përaprake bëhet e dije se tre punonjësit e OSHEE kanë qenë duke punuar në një shtyllë të tensionit të lartë, për të lidhur energjinë në qendrën e votimit, pa qenë të certifikuar për punime të tilla.
Gjithsesi do të jenë veprimet hetimore që po kryhen për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti në punë.
Qendra e votimit ndodhet tek godina e ish-shkollës së mbyllur në Kodër-Rreshen.
“Rreth orës 12:00, në Rrëshen, shtetasi E. B., rreth 37 vjeç, elektricist, gjatë punës në një shtyllë elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, dhe për pasojë ka humbur jetën. Gjatë punës janë dëmtuar lehtë edhe shtetasit Z. P., 60 vjeç, dhe T. D., 58 vjeç, elektricistë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi Policia e Lezhës pas ngjarjes së rëndë.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, teksa forca të policisë kanë shkuar në vendngjarje për të nisur hetimet. Po punohet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes tragjike.
Komente
