Pesë ditë pas tragjedisë ajrore të ndodhur në Indi, hetuesit kanë gjetur regjistruesin e zërit në kabinën e pilotit (CVR).
Ky zbulim nga avioni i rrëzuar i ‘Air India’, është një hap kyç në zbulimin e shkakut të aksidentit vdekjeprurës të javës së kaluar në aeroportin Ahmedabad, informon BBC.
Avioni me destinacion Londrën, “Boeing 787-8 Dreamliner”, u rrëzua menjëherë pas ngritjes të enjten nga qyteti perëndimor indian i Ahmedabadit, në një dinamikë që zgjati 28 sekonda. Të paktën 270 persona kanë humbur jetën, shumica prej tyre pasagjerë dhe pjesë tjtër banorë të zonës pranë aeroportit, apo konvikteve të studenteve ku ra mjeti fluturues.
CVR kap audio nga kabina e pilotit, duke përfshirë bisedat e pilotëve, alarmet dhe tingujt e ambientit.
Regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR), i cili regjistron parametra të rëndësishëm të fluturimit si lartësia, shpejtësia dhe performanca e motorit, ishte nxjerrë nga mbeturinat të premten.
Si CVR ashtu edhe FDR së bashku formojnë atë që njihet zakonisht si “kutia e zezë” e një aeroplani. Është një mjet jetësor në hetimet e rrëzimeve ajrore, duke i ndihmuar ekspertët të rindërtojnë momentet e fundit të fluturimit dhe të përcaktojnë shkakun e incidentit.
Kutia e zezë, në fakt përbëhet nga dy pajisje, njëra për CVR-në dhe tjetra për FDR-në, të lyera me shirita reflektues për rikuperim më të lehtë pas një përplasjeje. Të dyja këto pajisje janë projektuar për t’i mbijetuar një përplasjeje.
Byroja e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve në Indi (AAIB) po udhëheq hetimin për shkakun e rrëzimit, e ndihmuar nga ekipe nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
Të dielën, zyrtarë nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) inspektuan vendin e rrëzimit të aeroplanit. Deri tani 90 nga viktimat janë identifikuar edhe në bazë të analizave të ADN-së. Vetëm një pasagjer arriti të mbijetonte, indian me shtetësi britanike, i cili rrëfeu edhe momentet e tmerrit.
“AAIB ka nisur një hetim të detajuar dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA-së (NTSB) po kryen një hetim paralel sipas protokolleve ndërkombëtare, pasi avioni është prodhuar në Amerikë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të dielën.
Komente
