Rrëzimi i avionit në Indi

Bota

Tragjedia ajrore në Indi, kapiteni Sumeet Sabharwal i ngriti një kurth kolegut: Avioni është në duart tuaja

18 Korrik, 09:31| Përditesimi: 18 Korrik, 09:35

  • Share

“Avioni është në duart e tua”. Me këto fjalë, komandanti Sumeet Sabharwal i besoi zëvendëskomandantit Clive Kunder drejtimin e ngritjes së fluturimit Air India 171 nga Ahmedabad drejt Londrës Gatwick. Biseda është ndër të parat e regjistruara nga një prej “kutive të zeza” në orën 12:39 të datës 12 qershor, tregojnë për Corriere della Sera dy burime perëndimore të njohura me përmbajtjen. Nuk është një procedurë e pazakontë, sqarojnë ato; kjo vendoset rast pas rasti. Por mund të jetë bërë qëllimisht nga veterani Sabharwal.

Me 330 kilometra në orë

Në orën 13:38 e 42 sekonda, tre sekonda pasi avioni ishte shkëputur nga pista me një shpejtësi prej 330 kilometrash në orë, komandanti ngriti dorën e djathtë, e çoi drejt dy levave të konsolës qendrore të Boeing 787 dhe ndërpreu, me radhë dhe me shpejtësi, rrjedhën e karburantit për motorin e majtë e më pas për atë të djathtë, duke ndjekur atë që pilotët e quajnë “memorie muskulore”.

Misteri i motiveve

Pse Sabharwal, i vlerësuar dhe pa asnjë njollë në karrierën e tij, vendosi të përplasë një avion me 241 persona të tjerë në bord, mbetet i vetmi mister i një tragjedie që i kushtoi jetën 260 personave (përfshirë 19 që ndodheshin në një ndërtesë të shkatërruar nga përplasja). Mund të duhen muaj e vite për ta kuptuar. Një gjë është e sigurt: sipas tre pilotëve të pyetur, ai zgjodhi të vetmen hapësirë kohore për të vepruar “pa u penguar”.

Befasia

Raporti paraprak ka konstatuar — pa shpjeguar si — që ndërprerësit janë zhvendosur nga “Run” në “Cutoff”. Siç ka zbuluar kjo gazetë, ishte një nga pilotët që e bëri këtë, me atë që dy burimet perëndimore e kanë cilësuar si “gjest i qëllimshëm”. Ishte komandanti Sabharwal ai që i lëvizi, ka konfirmuar Wall Street Journal. Zëvendëskomandanti Kunder, fillimisht i befasuar, u kap nga paniku dhe e pyeti disa herë e me ngulm eprorin e tij për arsyen e këtij veprimi, ndërsa komandanti e mohoi dhe më pas heshti.

Ngritja

Zyra për Hetimin e Aksidenteve Ajrore të Indisë, autoriteti që po drejton hetimin, ka bërë thirrje që “të mos nxirren përfundime të nxituara mbi atë që ndodhi”, duke theksuar se raporti përfundimtar do të përfshijë shkaqet kryesore dhe rekomandimet. Por për palët perëndimore nuk ka dyshim mbi dinamikën. Ditët e fundit, një pilot indian ka zbuluar për gazetat se komandanti vuante prej kohësh nga depresioni. Hetimi do të tregojë nëse kjo ka pasur një rol kyç në tragjedi.

Pyetja

Por çfarë ndodhi me fluturimin? Ja përmbledhja më e detajuar deri më tani. Në orën 13:38 e 39 sekonda, avioni shkëputet nga pista, siç konfirmon raporti paraprak. Por në orën 13:38 e 42 sekonda motorët privohen nga karburanti, kur avioni po udhëtonte me 180 nyje (333 kilometra në orë). Në orën 13:38 e 44 sekonda — tregojnë burimet — mikrofoni i lidhur me sediljen e zëvendëskomandantit regjistron Kunder duke pyetur, me shumë habi: “Pse i fiket motorët?”. Një sekondë më vonë, mikrofoni tjetër, ai i vendosur në pozicionin e komandantit, regjistron një “nuk isha unë”. Kunder nuk bindet dhe e pyet disa herë të tjera, për gjashtë sekonda të tjera.

Zhurma e levave

Zëvendëskomandanti po drejtonte avionin, ndërsa eprori i tij ishte në rol mbikëqyrës dhe ndihmës. Duart e Kunder ishin të zëna me komandën e timonit dhe përqendrimi i tij ishte në mbajtjen e parametrave të shpejtësisë, drejtimit dhe ekuilibrit. Nëse nuk e pa, zëvendëskomandanti me siguri e ndjeu që komandanti kishte lëvizur ndërprerësit: “tingulli i krijuar nga lëvizja prej sipër poshtë është i padiskutueshëm”, konfirmojnë pilotët e pyetur.

Ndihma e mikrofonëve

Jo vetëm kaq. Burimet perëndimore kujtojnë se mikrofonët e shumtë të instaluar në kabinë mundësojnë jo vetëm identifikimin e zërave dhe tingujve të ndryshëm — përfshirë ato të ndërprerësve të karburantit — por edhe mundësinë për të përcaktuar me “siguri të arsyeshme” se kush ka kryer manovrën. Edhe ky kombinim i regjistrimeve audio ka çuar në identifikimin e përgjegjësisë.

Ekranet e fikur

Ndërkohë, kutia tjetër e zezë, “Regjistruesi i të Dhënave të Fluturimit", regjistron fikjen e monitorëve në pjesën e zëvendëskomandantit. Kjo sepse — tregojnë pilotët — për të ulur konsumin e energjisë në emergjencë, lihet i ndezur vetëm ekrani i komandantit (i furnizuar me bateri). Në orën 13:38 e 47 sekonda, në pjesën e pasme të avionit aktivizohet “Turbina Ajrore Ram” (Rat), një pajisje emergjence që ndizet automatikisht në rast të humbjes së energjisë elektrike dhe/ose presionit hidraulik të shkaktuar nga ndërprerja e motorëve.

“Mayday” dhe përplasja

“Rat”-i fillon të furnizojë me pak energji disa sisteme kritike. Në orën 13:38 e 52 sekonda, zëvendëskomandanti kthen levën e karburantit të motorit 1 (ai i majti) nga “Cutoff” në “Run”, i cili më pas fillon të riaktivizohet, por jo në mënyrë të mjaftueshme. Në orën 13:38 e 56, Kunder rikthen në “Run” edhe motorin 2. Por situata është e pashpresë. Dhe në orën 13:39 e 5 sekonda lëshohet sinjali “Mayday”. Në orën 13:39 e 11 sekonda kutitë e zeza ndalojnë regjistrimin. Boeing 787 ishte përplasur me disa ndërtesa./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?