Kryeministri Edi Rama shpreh ngushëllimet për tragjedinë në Maqedoninë e Veriut, ku një klub natë u përfshi nga flakët dhe 51 persona humbën jetën.
Në një reagim në platformën ‘X’, kreu i qeverisë shkruan se është pa fjalë nga kjo ngjarje, ndërsa thekson se Shqipëria është e gatshme të ofrojë çfarëdo lloj ndihme për të cilën mund të ketë nevojë Maqedonia e Veriut.
"Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. Jam pa fjalë dhe lutem që të lënduarit të shërohen dhe që familjarët e viktimave të gjejnë forcën të përballojnë humbjen e tyre të pangushëllueshme. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdoqoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme", shkruan Rama.
Një reagim e pati edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili tha se është i tronditur nga kjo ngjarje dhe shprehu ngushëllimet për familjarët që humbën të afërmit.
“I tronditur nga tragjedia e ndodhur, nga humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve nga zjarri i rënë në një diskotekë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për familjarët që humbën të afërmit e tyre dhe për të gjithë popullin fqinj të Maqedonisë së Veriut. Lutjet e mia dhe të popullit shqiptar shkojnë për të lënduarit, që të gjejnë shërim të shpejtë e të mos rëndojë më shumë dhimbja në qytetin e Koçanit”, shkruan Begaj.
Ndërsa, kryeparlamentarja Elisa Spiropali u uroi shërim të shpejtë të lënduarve, ndërsa shkroi se sot është pranë familjarëve të viktimave.
“Pikëllues lajmi mbi tragjedinë e tmerrshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën disa dhjetëra vajza e djem. Në këtë të dielë të trishtuar, jam pranë familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë. Forcë e kurajë popullit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut në përballimin e kësaj fatkeqësie të madhe.”
