Pas tragjedisë së përplasjes së trenave që shkaktoi vdekjen e 57 personave në Greqi, komisioni i posaçëm hetimor ka nisur këtë të hënë punën me analizën e shkaqeve që sollën tragjedinë në Tempi. Shefi I stacionit hekurudhor të Larisës Vassilis Samaras, është lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Ai ka paraqitur argumentet e tij para grupit hetimor dhe sipas dëshmisë ka dhënë se e nuk e kishte kuptuar gabimin e tij, duke i lënë gjërat të zhvillohen vetë, në një mënyrë fatkeqësisht tragjike. Gjatë dëshmisë 59 vjeçari ka pohuar se në bankën e të akuzuarve duket të ketë edhe punonjës të tjerë që duhet të ishin në punë në orën 23:00 të së martës së kaluar, por ishin larguar para kohe dhe lanë vetëm.
Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale të cilat parashikojnë 10 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Avokati i tij njoftoi se Samaras pranon pjesën e fajit që i përket, por jo përgjegjësinë për mungesat e pajisjeve dhe sisteme të sigurisë në hekurudhat greke.
Ndërkohë është pezulluar nga detyra shefi i seksionit të trajnimeve në hekurudhat greke, i cili akuzohet se ka vendosur në detyrë Samaras pa qenë i aftë për ta bërë këtë, ndërsa emërimi i tij në këtë post ka marrë edhe përmasa politike, pasi është kryer me ndërhyrjen e një deputeteje të Partisë Konservatore që qeveris vendin këto 4 vitet e fundit. Po ashtu është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve edhe drejtori i stacionit të Larisës Dimitris Nikolaou që pak orë pas aksidentit tragjik, mori raport mjekësor për të justifikuar veprimin e tij se ishte kryer jo prej neglizhencës, por prej gjendjes shëndetësore. Siç bëjnë me dije mediat greke, mjeku nuk e ka ekzaminuar kur i ka dhënë raportin mjekësor. Hetimi po shqyrton nëse ai kishte caktuar më shumë se një punonjës në stacionin e Larisës natën e tragjedisë. Stacioni i Larisës përballon trafikun më të madh hekurudhor në vend, pasi është nyja më e madhe hekurudhore e Greqisë.
Ndërkohë në athinë studentët kanë protestuar sërish këtë të hënë për aksidentin tragjik me 57 të vdekur në Tempi.
Partneri i 21 vjeçares shqiptare, Klaudia Lata e cila vdiq tragjikisht në aksidentin hekurudhor në Larisa të Greqisë ka rrëfyer momente rrënqethëse pak minuta para se të ndodhte përplasja e trenave që i mori jetën të resë.
Ai rrëfeu se sapo ishte ngritur nga vendi ku ishte ulur dhe kishte lëvizur disa hapa larg Klaudias për të kërkuar për një vend, në momentin kur u rrëzua në tokë nga përplasja e trenave.
“I thashë se do të kërkoj vende për 10 minuta. Ajo më shikoi me një vështrim të fiksuar dhe më tha “shko tani”. U habita nga mënyra e saj e të folurit dhe pa u menduar u ngrita. E pashë të më buzëqeshte, i buzëqesha dhe bëra 15 hapa. Më pas ndjeva një zhurmë, rashë disa metra mbrapa në shpinë. As nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur, thjesht ndjeva një masë hekurash që më binin. Fatmirësisht nuk u lëndova. U zgjova nga tymi. Aktualisht kam probleme me frymëmarrjen. Në një moment mbylla sytë dhe thashë se do të digjem i gjallë. Në të njëjtën kohë po mendoja për Klaudian.
Nuk e kuptova se çfarë kishte ndodhur sepse gjithçka ishte e errët. Unë thjesht isha i tronditur. Disa bërtisnin se ishim në një zjarr ”, ka thënë partneri i 21 vjeçares.