Përplasja e trenave në Greqi dhe flamuri shqiptar në gjysmë shtizë

Sot ditë zie në Shqipëri, flamuri ulet në gjysmë shtizë në nder të viktimave në Greqi! 6 shqiptarë humbën jetën nga përplasja e dy trenave (EMRAT)

5 Mars 2023, 07:08| Përditesimi: 5 Mars 2023, 12:21

  • Share

TIRANË- Dita e sotme është ditë zie në Shqipëri, ku flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtizë, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Greqi, mes të cilëve edhe 6 shqiptarë. Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në “Facebook” nënvizoi se tragjedia e Greqisë, ku dy trena u përplasën mes tyre, është dhe tragjedi e vendit tonë.

Ministria e Jashtme ka identifikuar 6 viktima me origjinë shqiptare në radhët e aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi që ndodhi të martën. Bëhet fjalë për Klaudia Laton, Ifigjenia Mickën, Erieta Molkon, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo.

Përplasja tragjike e dy trenave kokë më kokë, trenit të mallrave dhe trenit të pasagjerëve në afërsi të Larisës, që u mori jetën deri tani të paktën 57 personave, prej të cilëve disa të karbonizuar dhe të copëtuar, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndodhi në orët e mbrëmjes së 28 shkurtit.

Si ndodhi ngjarja
Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës (28 shkurt) , me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh. Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët. 

Ora 12:09
Tragjedia në Greqi, qytetarët në Korçë ndezin qirinj në sheshin e Katedrales

 

Qytetarët e Korçës kanë ndezur qirinj në sheshin e katedrales në nder të viktimave të aksidentit tragjik në Larisa të Greqisë.

Ndërkohë pritet që së bashku me konsullin e përgjithshëm grek në Korçë përfaqësues të autoriteteve shtetërore në orën 18:00 tek Sheshi i Katedrales do të ndezin qirinj në shenjë solidariteti për viktimat që humbën jetën nga kjo tragjedi, midis të cilëve pati edhe shqiptarë.

Pas kësaj të marshohet deri tek konsullata greke ku edhe atje do të ndizen qirinj dhe do te vendosen lule.

Ora 10:47
Tragjedia me 57 të vdekur nga përplasja e trenave në Greqi, mes tyre 6 shqiptarë! Xhaçka: Ngushëllime familjarëve

1677913930_tren.JPG

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka bërë me dije se 6 shqiptarë kanë humbur jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në Larisa të Greqisë, ku pas përplasjes së dy trenave humbën jetën 57 persona.

Nëpërmjet një reagimi në facebook, Xhaçka shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve të 6 shqiptarëve.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Greqi. Kaq shumë jetë të prera në mes kaq papritur e në mënyrë kaq tragjike! Në këtë ditë zije një lutje e vecantë shkon për familjarët e 6 bashkëkombësve tanë që humbën jetën në këtë aksident”-shkruan Xhaçka.

Shqiptarët që humbën jetën në aksident:

Klaudia Lato

Ifigjenia Micka

Erieta Molko

Ioanis Xhiollas

Denis Ruçi

Pavlin Bozo

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?