Ngjarja e rëndë në Maqedoninë e Veriut, ku 59 persona humbën jetën pas një zjarrit që ra në një klub nate si pasojë e fishekzjarrve, ngriti shqetësimin për sigurinë në klubet e natës.
Por, si paraqitet situata në klubet e natës në Shqipëri?
Për këtë ishte i ftuar ditën e sotme në emision ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë.
Goxhaj tha se masat për mbrojtjen nga zjarret në klube janë të mira dhe në këto ambiente ka siguri.
‘Tirana është e mirëorganizuar dhe e plotësuar me mjete dhe pajisje, janë 195 forca zjarrëfikëse dhe bashkia është e organizuar për t’ju përgjigjur çdo thirrje të qytetarëve dhe këtë e kanë treguar edhe ngjarjet që kanë ndodhur në territorin e bashkisë. Për lokalet e natës ka organizime tip task force ose grupi që bëjnë kontrolle. Sa i përket masave të mbrojtjes nga zjarri këto ambiente janë të mira. Ngjarja në Maqedoni është e tmerrshme dhe ne pas asaj ngjarje jemi vënë edhe më shumë në lëvizje. Mund të them se siguria në këto ambiente është e mirë’, tha ai.
Ai tha se këto ambiente janë të pajisura me dalje emergjente në rast zjarri dhe me pajisjet e mbrojtjes nga zjarri.
Sipas tij, në këto biznese bëhen edhe kontrolle të herë pas hershme lidhur me masat që duhet të marrin për tu mbrojtur nga zjarri.
‘Strip club-et që e nisin aktivitetin në orët e vona të natës deri në orët e para të mëngjesit dhe diskot në fundjavë, kanë masa mbrojtëse nga zjarri, kanë më shumë se një derë ku mund të dilet, kanë tabela dhe pajisjet e mbrojtjes nga zjarri që edhe nëse ka ndonjë incident edhe vet punonjësit e këtyre bizneseve të reagojnë. Edhe pse janë të certifikuara ne bëjmë kontrolle të herë pas hershme, më shumë probleme kemi pasur me fast- foode dhe ambiente të tjera’, tha ai.
Goxhaj tha se këto ambiente janë edhe të cerfikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrëfikses.
‘Ne të gjitha këto ambiente masat e mbrojtjes nga zjarri janë të përshtatura më të gjitha rregullat e BE dhe ato inspektohen dhe certifikohen nga Drejtoria e Përgjithshme e zjarrfikëses. Edhe në objektet e banimit kur përfundon ndërtimi ne vendosim pajisje për mbrojtjen nga zjarri, por më pas kontrollin e marrin administratëorët’, tha ai.
Më 16 mars, 59 të rinjtë humbën jetën pas zjarrit masiv që ra në klubin e natës “Koçani Puls”, ndërsa u plagosën 155 të tjerë. Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga bendi maqedonas DNA. Mediat vendase raportuan se shkak i zjarri kanë qenë fishekzjarret që janë përdorur brenda në ambientet e lokalit gjatë festës.
Komente
