ADELAIDE, Australi - Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën e kaluar në Adelaide. Futbollisti shqiptar Mario Bacaj është rrëzuar nga kati i tetë i një godine duke ndërruar jetë. Kati i fundit i godinës ishte një restorant, me komunitetin që është shokuar nga ndodhia.
Mario Bacaj, 28 vjeç, duhej të luante për Klubin e Futbollit Adelaide Eagles më 15 qershor, por rreth orës 10:15 të mëngjesit postoi në grupin e bisedës së ekipit se nuk ndihej mirë dhe nuk do të ishte në gjendje të luante.
Disa orë më vonë, shokët e tij të ekipit morën lajmin tronditës se Bacaj kishte vdekur pasi kishte rënë nga bar-restoranti '2KW' në qendër të qytetit rreth orës 16:00.
“Ai ishte shqiptar, i rritur në Itali. I pëlqente të luante futboll. Thjesht një djalë i lumtur dhe i bukur, si djali më perfekt në komunitetin tonë”, tha një burrë i lidhur me klubin australian.
Bacaj kishte banuar në Adelaide për disa vite, duke punuar dhe studiuar, teksa ishte në prag të marrjes së lejes së qëndrimit. Të hënën, shokët e ekipit me zemër të thyer u mblodhën në rrugën poshtë restorantit '2KW' për të vendosur lule të bardha dhe për të shprehur respektin e tyre. ‘Pushofsh në Paqe Mario’, shkruhej në shqip në një pankartë të vendosur nga ata.
Policia dhe shërbimet e emergjencës rrethuan zonën të dielën pasdite, me vendin e ngjarjes të mbyllur për disa orë ndërsa hetonin tragjedinë. Një zëdhënëse e bar-restorantit tha për 'News Corp' se ata ishin ‘thellësisht të trishtuar nga incidenti’. Mësohet që Bacaj shkoi në vendngjarje vetëm dhe vdekja e tij nuk po trajtohet si e dyshimtë. Megjithatë nuk përjashtohet asnjë pistë.
Restoranti nga i cili u rrëzua futbollisti shqiptar
Komente
