Tiranë- Me mbështetjen e ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistence Program), nisi trajnimi i Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe të Policisë së Shtetit.
Objekti i këtij trajnimi është hetimi i krimeve, sipas një moduli të standardizuar bashkëkohor dhe i miratuar tashmë nga Prokurori i Përgjithshëm.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të këtij trajnimi, theksoi mbështetjen e plotë për AMP-në dhe çdo institucion tjetër të varësisë, që do t’i nënshtrohen një procesi efektiv reformimi.
"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë mbështetjen time më të fortë, duke rritur dhe forcuar më tej hetimet proaktive në luftë kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit”, tha ministri Hoxha.
Sipas tij, AMP duhet të jetë më dinamike në ushtrimin e funksioneve të saj dhe për këtë punonjësit e saj duhet të kenë përgatitjen e duhur.
“Për të pasur një reformë të suksesshme, ndër të tjera kemi nevojë që AMP të jetë sa më dinamike në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave të saj. Që të arrihen objektivat tona, duhet që punonjësit e AMP të kenë përgatitjen e duhur profesionale, integritetin dhe personalitetin e duhur”.