Spezia dhe Inter luajnë nesër në 20:45 për javën e 26-të në Serie A. Zikaltërit kërkojnë të ruajnë vazhdimësinë pas fitores me Leccen, teksa trajneri Simone Inzaghi foli në konferencën për mediat. Numri një i zikaltërve u ndal te forma e Lukakut dhe e futbollistëve të tjerë.
“Ne kërkojmë vazhdimësi. Kemi reaguar mirë duke bërë një lojë të bukur ndaj Leçes. Tani duhet të vazhdojmë kështu, me këtë vendosmëri. Do të jetë një ndeshje e komplikuar, kundër një skuadre që ka objektiva të qartë për të luftuar. Kanë ndryshuar trajner dhe vijnë nga dy barazime radhazi. Duhet të interpretojmë ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, për të bërë gjërat më të thjeshta”, u shpreh fillimisht Inzaghi.
Më pas ish-tekniku i Lazios foli edhe për gjendjen e Lukakut dhe pritshmëritë që në klub kanë për sulmuesin belg.
"Ne i dimë vlerat e tij. Ka ardhur nga një periudhë me shumë probleme, por tashmë është duke dhënë sinjale të mira. Përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme çdo ditë. Ka bërë një gol shumë të rëndësishëm ndaj Portos dhe duam që të vazhdojë kështu dhe të risë gjendjen e tij", vijoi trajneri.
Më pas Inzaghi foli edhe për gjendjen e lojtarëve të Interit dhe formën që po kalojnë.
"Dimarco është mirë, është i grumbulluar. Correa ka bërë stërvitje të pjesshme me grupin, por nuk do të jetë me ne ndaj Spezias. Skriniar ndërkohë duhet të qëndrojë pushim akoma, shpresoj që pas Spezias të kthehet me ne. Brozovic është duke punuar mirë dhe jam shumë i kënaqur me të", mbylli trajneri.