Dinamo dhe Egnatia luajnë të mërkurën në orën 16:00 për raundin e 35-të në Superligë. Dueli i "Elbasan Arena" është me peshë të paktën për Dinamon që kërkon një vend në "Final 4". Nga ana e saj, Egnatia prin renditjen dhe e ka siguruar një vend në zonën që të çon në ndeshjet shtesë për garën e titullit kampion.
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Egnatias. Edlir Tetova kërkoi kujdes në fushë dhe përqëndrim, teksa në mendje solli edhe finalen e 14 majit në Kupë kundër Kukësit.
"Finalja e Kupës me Kukësin? Është një ekip dinjitoz për finalen, nuk ka ekip të lehtë pasi luhet një finale që vlen trofeun. Nuk ka ekip të lehtë në një ndeshje si kjo. Duke u nisur nga edicioni i kaluar, kemi pasur luhatje në Kupë, por shpresojmë që edhe këtë vit të kurorëzohemi kampionë.
Dinamo në kampionat - Është një ndeshje që do jemi të plotë, na rikthehen të gjithë lojtarët që kemi pasur të pezulluar. Për të ruajtur ritmin dhe vendin e parë na duhet të bëjme mirë në fushën e lojës.
Katër rikthime - Po, kjo i shton adrenalinën ekipit dhe zgjedhjet do jenë të kujdesshme. Do fokusohemi te ndeshja që kemi, pa kthyer kokën pas. Çdo ekip ka nevojë për lojtarin e 12-të, ne kemi pasur mundësi t'i kemi tifozët. Dua t'u bëj një thirrje që nesër të vijnë në stadium", tha Edlir Tetova.
Me 60 pikë Egnatia mban vendin e parë, ndërsa Dinamo me 47 pikë atë të katërt, teksa ndjen presionin e katër skuadrave nga pas.