Orges Shehi, trajneri i Partizanit

Transferta në Conference League, Orges Shehi: Partizani synon kalimin, do ketë ndryshime në emra

24 Korrik, 20:28| Përditesimi: 24 Korrik, 20:29

  • Share

GJEORGJI - Partizani luan nesër në udhëtim kundër Iberia 1999, sfidë që merr jetë në 18:00 dhe vlen për duelin e parë në turin e dytë kualifikues të Conference League.

Në prag të ndeshjes nga Gjeorgjia foli Orges Shehi, trajneri i Partizanit. Durrsaku tha se të tijtë synojnë një rezultat të mirë që në ndeshjen e parë, teksa do ketë ndryshime në formacion.

"-Si është gjendja e skuadrës dhe formacioni që do të zbresë nesër në fushë?

Na presin dy ndeshje të tjera në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Nuk mendoj që në letër kjo ndeshje ka favoritë. Ne kemi ardhur këtu me synimin e qartë që në ndeshjen e parë, pavarësisht se kemi edhe takimin e kthimit të kalojmë në raundin tjetër.

-Sa informacion keni për ekipin e Iberias dhe futbollin gjeorgjian?

Sigurisht e njohim skuadrën e Iberias pasi Partizani është përballur 2 vite më parë. Por edhe vetë personalisht jam përballur vitin e kaluar me Dinamo Batumin kur drejtoja Tiranën. Besoj se kemi mjaftueshëm njohuri për futbollin gjeorgjian. E dimë që futbolli juaj këtu ka bërë përparime për më tepër që ashtu si Shqipëria edhe Gjeorgjia ishin pjesë e Europianit 2024. Kemi njohuri, pavarësisht se çdo skuadër ka objektivat e veta.

-Do të ketë ndryshime formacioni që luajti ndaj Marsaxlokk?

Në dy përballjet që kemi zhvilluar ndaj Marsaxlokk e kemi aplikuar skema të ndryshme. Patjetër që përballë çdo kundërshtari do të kemi strategjinë tonë gjithmonë në raport me ekipin që luajmë. Sot kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Mund të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshja e fundit në emra. Gjithsesi mos prisni prej meje që t’ju zbuloj këtu në konferencë me kë do luaj dhe si do të luajmë nesër.

-Shqipëria për të dytën dhe Gjeorgjia për të parën herë kanë provuar emocionet e finaleve të një Kampionati Evropian...

Po për të dytën herë Shqipëria ka regjistruar një arritje të tillë. Herën e parë pjesë e ekipit përfaqësues në Francë kam qenë edhe unë. Si Shqipëria dhe Gjeorgjia kanë bërë progres në zhvillimin e futbollit. Futbolli nuk zhvillohet vetëm në fushë duke luajtur por edhe në infrastrukturë. Për mua është hera e dytë që vij këtu dhe shikoj dy stadiume të mira, ashtu sikurse edhe ne kemi ndërtuar stadiume mjaft të mira. Mendoj që dy vendet janë në rrugën e duhur për të zhvilluar akoma më shumë futbollin dhe arritur të tjera rezultate premtuese", tha Shehi.

Dueli i kthimit në "Elbasan Arena" do luhet më 1 gusht 2024.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?