Skënderbeu dhe Dinamo luajnë nesër në orën 17:00 në Korçë, me sfidën që vlen për javën e 20-të në Superligë. Përpara duelit, për mediet foli trajneri i Dinamos. Dritan Mehmeti u ndal te humbja me përmbysje 2-3 nga Tirana një javë më parë, duke thënë se të tijtë e kanë marrë veten. Për sfidën e së shtunës Mehmeti kërkon përqëndrim dhe thotë se pret afrime në merkato. Detyrim për tifozët dhe presidentit, me këto fjalë trajneri kërkon tri pikët në udhëtim.
“Humbja me Tiranën? Kemi bërë analizën e ndeshjes me Tiranën, nuk është hera e parë që na ndodh. Jemi të gjithë përgjegjës për mënyrën si kemi humbur, gjithsecili duhet të reflektojë, nga i pari tek i fundit, për të gjetur forcat dhe për të dalë aty ku skuadra pretendon. Dinamo i ka forcat të përballet me çdo kundërshtar.
Ndryshimi i kursit? Duhet ta kërkojmë te vetja për mënyrën si menaxhojmë rezultatin. Kjo është një nga pikat kyçe të skuadrës, kemi problem agresivitetin, mënyra si duhet të shkojmë te fitorja.
Reagimi pas humbjes? E kemi lënë pas atë ndeshje dhe jam i kënaqur nga reflektimi i çunave, duhet të tregojmë forcë karakteri dhe të vlerësojmë si duhet ndeshjen me Skënderbeun. E kemi detyrim karshi tifozëve, karshi presidentit që të japim maksimumin. Jemi një klub që i ka dhënë tonin futbollist shqiptar dhe duhet të tregojmë më të mirën.
Mungesat? Në Korçë na mungon Andoni, është një lojtar që na ndihmon shumë në mesfushë. Kthehet Smaçi, por kemi pasur probleme me Gudiabin dhe Karambën, që nuk janë në gjendjen më të mirë fizike dhe mentale. I kemi elementët për të përballuar një ndeshje të tillë.
Formacioni? Lojtarët që do të luajnë besoj se do të bëjnë më të mirën. Të gjitha skuadrat janë të vështira, jo vetëm Skënderbeu, duhet përqendrim për 90 minuta që të marrësh rezultatin që do.
Merkato? Të jem i sinqertë, pres një përforcim në mesfushë, ndoshta edhe në sulm, nëse gjendet një lojtar që të bëjë diferencën”, tha Mehmeti.
Me 22 pikë, Dinamo mban vendin e pestë në renditje, teksa Skënderbeu po me aq pikë renditet në pozitën e shtatë.