Metalurgjiku i Elbasanit do të rilindë duke hyrë në një fazë të re zhvillimi, si një Qendër Kombëtare për Prodhim, Logjistikë dhe Teknologji Inovative - Made in Albania, duke u transformuar nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër, e cila do të hapë perspektiva të reja për Elbasanin.
Në Elbasan u zhvillua sot një takim me sipërmarrës të zonës së Metalurgjikut, të cilët prodhojnë, eksportojnë dhe kontribuojnë realisht në ekonominë shqiptare. Në takim mori pjesë Kryeministri Rama së bashku me Ministrin për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin Blendi Gonxhja, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se Parku Metalurgjik ka një potencial të jashtëzakonshëm, dhe për ta transformuar, duhet krijuar një ‘aleancë’ me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar zgjerimin e tyre, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në këtë territor.
Rama tha se për këtë kanë angazhuar një sërë arkitektësh vendas dhe të huaj. Kreu i qeverisë tha Parku së bashku me Auto Moto Parkun, do të jetë një pikë që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin.
“Në transformimin e kombinatit apo më saktë territorit të kombinatit metalurgjik në një park kombëtar industrial, i cili ka potencial të jashtëzakonshëm, dhe për të cilin, duam të mbështetemi te një aleancë me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar më tutje zgjerimin tuaj, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në administrimin e jetës së përditshme të të gjithë këtij territori, i cili njëkohësisht është i fokusuar te Elbasani. Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh të huaj dhe vendas për të përcaktuar drejtimin e master planit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra dhe ideja duhet të jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë, dhe duhet të bëhet bashkë me automotorparkun. Pika që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin, dhe që do ta bëjë Elbasanin pjesë të metropolit të Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Që të vish të punosh këtu është një distancë po aq ose edhe më e shkurtër se sa ç’mund të jetë distanca që të merr të shkosh të punosh nga njëra anë e Tiranës në tjetrën. Duhet kuptuar se ka potencial për të hapur kryeqytetin dhe dhënë një energji dhe frymëmarrje të re me të dy këto pika, që janë shumë afër njëra-tjetrës, parku i Kombinatit dhe Automotorparku”, tha Rama.
Duke u ndalur te Automotorparku, Rama tha se nuk do të jetë një investim vetëm për Formula 1, por do të shërbejë edhe për sigurinë rrugore. Rama tha se edhe Korporata Shqiptare e Investimeve AIC do të jetë pjesë e këtij projekti. Parku do të administrohet nga një shoqëri, ku pjesë do të jetë shteti dhe bashkia, por edhe bizneset që janë të interesuara për t’ju bërë pjesë kësaj shoqërie.
“Automotorparku nuk është një investim vetëm për formulën 1 por do të jetë një destinacion i përditshëm, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore. Do të jetë një qendër Europiane për rritjen e sigurisë rrugorë sipas modeleve më të mira që ka sot Europa falë partneritetit të ndërtuar me qendrën e sigurisë rrugore në Austri. Tjetra që dua të them që kemi shumë të nevojshme, që ka nevojë të na bëhet me dije prandaj duhet të krijojmë këtë tryezë të përbashkët, që të na bëhet me dije nga ana juaj çdo plan që keni. Patjetër që duan të vijnë edhe të tjerë, por duam që kjo rrugë të nisë nga ju. Këto të dhëna t’i përfshijmë në bazën e përgjithshëm të të dhënave për realizimin e këtij masterplani. AIC, Korporata e Investimeve do të jetë pjesë e këtij projekti që edhe pala shtet të ketë pjesën e vet të investimeve që të jetë e pranishme dhe të planifikojë edhe pjesën e vet të investimeve që do të bëjë. “, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Edi Rama, nga Elbasani ku po diskutohet për transformimin e Parkut Metalurgjik, iu përgjigj një sipërmarrësi në këtë zonë, teksa i përmendi premtimet elektorale. Kreu i qeverisë tha se premtime elektorale bëjnë vetëm ata që e dinë se do t’i humbin zgjedhjet.
Pjesë nga diskutimi:
Sipërmarrësi: Për të qenë më i qartë, nga momenti i fundit ka kaluar shumë kohë. Nuk kanë qenë mbase instrumentat e duhura për t’u arritur kjo gjë. Si mund ta vëmë në praktikë që të mos mbetet thjesht premtim elektoral.
Rama: Unë e kërkova këtë takim se thashë që do të shkojmë për masterplanin, por thashë mirë është të takojmë edhe ata. Premtime elektorale bëjnë ata që duan me fituar zgjedhjet, ne i kemi të garantuara.
Komente

Ik ore hajdut. Elbasani eshte si ne mesjete. U zbras I gjithi. Tju rrojne bandat qe bejne ligjin ne Elb. Te gjithe banditet ketu i ke mgjs jane ne "kerkim" nga policia. Ketu jane dhe gati per te blere vota per ty. Shiko lojrat e fatigue kush i kontrollon. Shish dhe policia nuk flasin jo me te nderhyjne. Vazhdo me Qifin dhe Suelin se do vi dita qe populli te ngrihet.Cfare duan banditet behet. Ti o Rameee ja nena e krimit .
Përgjigju