Albana Koçiu në Spitalin Bashkiak të Peqinit me mjekët

Sociale

Transformimi i Spitalit Bashkiak të Peqinit, Koçiu: Shërbim shëndetësor dhe social për të gjithë, qendër rehabilitimi për fëmijët me nevoja të veçanta

3 Korrik, 17:02| Përditesimi: 3 Korrik, 17:11

  • Share

Spitali Bashkiak i Peqinit po transformohet në një korpus modern ku do të integrohen shërbimet shëndetësore për qytetarët dhe shërbime e domosdoshme sipas standardeve më të mira evropiane për fëmijët me nevoja të veçanta. 

Me mbështetjen e Qeverisë dhe në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po realizohet një investim i rëndësishëm që do të integrojë Spitalin Ditor, Qendrën Shëndetësore, Administratën e NjVKSH-së dhe Qendrën Terapeutike dhe Rehabilituese për fëmijët 0-18 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe kreu i FSHZH-së, Dritan Agolli gjatë inspektimit të punimeve u ndalën në detajet e këtij investimi për ofrimin e shërbimeve diagnostikuese, trajtuese dhe rehabilituese, me shtretër dhe ambulator për fëmijët me probleme të veçanta.

Ajo shtoi se është një projekt unik që falë vizionit të Qeverisë shqiptare dhe mbështetjes së FSHZH, do t’i shërbejë jo vetëm shërbimit shëndetësor, por edhe rehabilitimit dhe trajtimit të fëmijëve me aftësi të veçanta.

“Spitali Bashkiak i Peqinit i cili organizohet jo vetëm në një strukturë spitalore, por edhe në një qendër shëndetësore. Një projekt të cilin jemi duke zhvilluar bashkarisht me Fondit Shqiptar të Zhvillimit mbështetur nga buxheti i shtetit. Një investim i cili trajton krahas infrastrukturës spitalore dhe zyrat e administratës, qendrën shëndetësore, por edhe një projekt të ri që ka të bëjë me një Qendër Rehabilitimi dhe Terapeutike për fëmijët me aftësi të veçanta e cila do të jetë unikale në llojin e vet. Një qendër kombëtare që do të zhvillohet në ambientet aktuale të strukturës spitalore te Bashkisë Peqin”, theksoi Koçiu.

Korpusi spitalor i Bashkisë Peqinit në fakt na e ofron këtë mundësi ku në një sipërfaqe prej 5000 m2 ne do të arrijmë të ndërtojmë këtu edhe shërbimin ditor spitalor të domosdoshoshëm për 39 mijë banorët e Bashkisë së Peqinit dhe zonave përreth, dhe ndërkohë të japim mundësinë e krijimit një qendre terapeutike rehabilituese për fëmijët me aftësi të veçanta”, tha ajo. 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përfundoi duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti.

“Është mishërimi më i mirë i misionit që ka MSHMS, bashkimi dhe mundësia për të ofruar jo vetëm shërbim shëndetësor, por edhe shërbime sociale të domosdoshme për rehabilitimin më të mirë të të gjithë atyre që kanë problematika shëndetësore”.

Qendra Terapeutike dhe Rehabilituese për fëmijët 0-18 vjeç do ofrojë një sërë shërbimesh ku diagnostikimi, trajtimi dhe rehabilitimi do të ofrohen në standardet më të larta evropiane, duke integruar shërbimet mjekësore, terapeutike, edukative dhe sociale.

Me 64 dhoma për rehabilitim dhe terapi; Qendra do të jenë e ndarë në 16 zona të ndryshme funksionale dhe e përbërë nga pesë departamente kryesore: mjekësor, terapeutik, psikologjik, edukativ dhe mbështetës ku do të ofrojnë shërbime profesionistë të fushave të ndryshme, si neurologë, pediatër, fizioterapistë, terapistë të punës, psikologë dhe punonjës social.

Programet që do të implementohen përfshijnë ndërhyrje të hershme për foshnjat, terapi individuale dhe në grup, terapi me muzikë, art, terapi okupuacionale dhe gjuhësore si dhe mbështetje edukative dhe psikologjike.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?