Transnistria dhe Moldavia: Lufta tjetër e Rusisë?

5 Mars, 09:29| Përditesimi: 5 Mars, 09:34

  • Share

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991 Rusia zhvillon thuajse pa ndërprerje luftëra kundër fqinjëve të saj, ose të paktën i provokon ata. Luftën e parë Moska e nisi rreth dy muaj pas rënies së Perandorisë Sovjetike: në fillim të marsit 1992 në Republikën e vogël të Moldavisë, e cila shtrihet midis Ukrainës dhe verilindjes së Rumanisë. Shumica e banorëve janë moldavë, që flasin rumanisht: Pjesa më e madhe e vendit bënte pjesë në Principatën Rumune të Moldavisë deri në aneksimin e saj në kohën e carëve dhe sërish më vonë nën Stalinin.

Në një pjesë të Moldavisë, të quajtur Transnistria, një rrip toke në bregun e majtë të lumit Dniestër, separatistët besnikë të Moskës me pretekstin e mbrojtjes së rusëve dhe gjuhës ruse shpallën që në 1990 një republikë e cila nuk njihet. Luftimet shumë të përgjakshme të pranverës së vitit 1992 përfunduan pas disa muajve, megjithatë që atëherë trupat ruse gjenden në Transnistria - edhe pse Kremlini ishte zotuar t'i tërheqë ato në një marrëveshje çerek shekulli më parë.

Nga jashtë Transnistria i ngjan një parku muzeal gjigant sovjetik - me monumente të Leninit, flamuj të kuq dhe simbole drapër e çekan. Por në të vërtetë ky brez toke është një terren gjigand për firma dhe depo armatimi të një grupi të vogël ish oficerësh të KGB-së, të cilët aktualisht punojnë edhe për shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU. Me konglomeratin e firmave Sheriff ata drejtojnë operacione pastrimi parash dhe kontrabande dhe kontrollojnë pothuajse të gjithë aktivitetet ekonomike në zonë.

"Presidenti" i Transnistrisë flet për "gjenocid"

Sa herë që kërcënohen bizneset, Parlamenti i papushtet, Sovjeti Suprem i Transnistrisë apo forume të tjera mblidhen dhe i kërkojnë Moskës ndihmë, mbrojtje ose pranim në Federatën Ruse. Kështu rreziku i një lufte të nxehtë shfaqet vazhdimisht në konfliktin përndryshe të ngrirë.

Kështu është edhe kësaj radhe: më 28 shkurt 2024 nga Tiraspoli, kryeqyteti rajonal i Transnistrias, një "kongres i deputetëve në të gjitha nivelet” i kërkoi Rusisë në një rezolutë mbrojtjen nga "presioni gjithnjë e më i madh” dhe "lufta ekonomike e Moldavisë". "Presidenti" i Transnistrisë, Vadim Krasnoselski, ish punonjës i sigurisë në Sherif, fajësoi autoritetet në Kishinau për kryerjen e një "gjenocidi" ndaj banorëve të Transnistrisë.

Më shumë kontroll mbi Transnistrinë

Apeli për mbrojtje drejtuar Rusisë dhe mbledhja në Tiraspol ndodhi një ditë para fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin para kombit. Pati shumë spekulime, nëse Putini do ta përdorte apelin si pretekst për të shpallur ndonjë formë të ndërhyrjes ushtarake në Moldavi apo aneksimin e republikës. Por Putin nuk e përmendi aspak Republikën e Moldavisë në fjalimin e tij të 29 shkurtit 2024.

Politikanët dhe mediat moldave folën për një "truk" dhe një "bllof propagandistik" nga Transnistria, i cili nuk duhej marrë seriozisht. Arsyeja: kompanitë nga Transnistria duhet të paguajnë që nga 1 janari 2024 taksa dhe tarifa doganore, kur importojnë mallra në territorin e rregullt shtetëror të republikës. Kjo është pjesë e një katalogu masash, me të cilat udhëheqja e vendit në Kishinau po përpiqet të rimarrë më shumë kontroll mbi Transnistrinë.

Kufiri i Ukrainës me Transnistrinë është mbyllur

Në tri dekadat e fundit Transnistria, një zonë midis Ukrainës dhe territorit të rregullt shtetëror moldav në bregun e djathtë të lumit Dniestër, ka qenë një qendër e pakontrolluar e trafikut të paligjshëm, kontrabandës dhe pastrimit të parave. Presidentja pro perëndimore Maia Sandu, që më parë kishte bërë emër si aktiviste për të drejtat civile dhe luftën kundër korrupsionit, përpiqet t'i japë fund praktikave të paligjshme ekonomike me Transnistrinë, që kur ka marrë detyrën në fund të vitit 2020.

Paradoksalisht lufta ruse kundër Ukrainës i ka ndihmuar asaj në këtë përpjekje, meqë autoritetet ukrainase mbyllën kufirin me Transnistrinë që në fillim të luftës për të parandaluar aktet e sabotimit apo sulmet e ushtarëve rusë në qytetin port të Odesës, vetëm 70 kilometra larg dhe në rajonin përreth. Si rrjedhojë Transnistria e ka humbur rolin e saj si një qendër e kontrabandës dhe e pastrimit të parave.

"Shenjat e kolapsit"

Oleg Serebrian, zëvendëskryeministër i Moldavisë dhe ministër për Riintegrimin e Transnistrisë, tha pas fjalimit të Putinit me optimizëm, se Rusia e kontrollon gjithnjë e më pak rajonin separatist dhe se në Tiraspol ka "shumë qendra pushteti dhe si rrjedhojë edhe shenja dobësie dhe kolapsi". Apelin drejtuar Rusisë për të mbrojtur Transnistrinë ai e cilësoi si një "operacion për të mbuluar problemet e regjimit separatist".

"Ekonomikisht dhe nga ana sociale gjërat shkojnë keq në Transnistria", thotë Serebrian, "dhe njerëzit atje kanë nevojë për një shpjegim. Shpjegimi është se nëna e gjithë të keqijave është Kisinau dhe tarifat e reja doganore dhe kjo është arsyeja pse gjërat në rajon nuk shkojnë mirë. Por në realitet gjërat shkojnë keq prej kohësh në Transnistria”.

Propagandë dhe dezinformim

Në fakt për shkak të mungesës së një lidhjeje direkte me Moldavinë Rusia nuk ka aktualisht mundësi ta sulmojë. Megjithatë Moska ka aty rreth 1.500 deri në 2.000 ushtarë. Këtyre i shtohen edhe forcat e armatosura të Transnistrias. Marrë së bashku ata kanë epërsi ndaj ushtrisë së vogël dhe shumë të dobët moldave me vetëm rreth 5000 ushtarë. Përveç kësaj në veri të Transnistrias pranë fshatit Cobasna ndodhet një nga depot më të mëdha të armëve në Evropë me mbi 20.000 tonë armë dhe municione nga rezervat e vjetra sovjetike. Nëse Rusia arrin të depërtojë në rajonin e Odesës, ky mund të ishte fillimi i një pushtimi të Moldavisë.

E parë politikisht Moldavia është po aq e humbur për Rusinë sa edhe Ukraina. Në dhjetor BE vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Moldavisë. Shumica e njerëzve në vend janë pro-evropianë, shumë kanë shtetësinë e vendit fqinj Rumanisë dhe rrjedhimisht pasaporta të BE, qindra mijëra moldavë punojnë në vendet.

Që Rusia nuk heq dorë nga pretendimi i saj ndaj Republikës së Moldavisë dhe ndoshta do ta sulmonte atë në rrethana të favorshme, e tregon lufta hibride e Moskës kundër saj: Partitë pro ruse, të financuara ndër të tjera nga oligarku prorus i larguar në Izrael, Ilan Sor, zhvillojnë fushata të tërbuara kundër presidentes Maia Sandu dhe qeverisë properëndimore të kryeministrit Dorin Recean. Edhe në mediat sociale propaganda dhe dezinformatat pro ruse janë masivisht të pranishme. Për vjeshtën e vitit 2024 janë planifikuar zgjedhjet presidenciale dhe një referendum për anëtarësimin në BE. "Në prag të këtyre zgjedhjeve ne shohim që tani përpjekje për të destabilizuar situatën në vendin tonë", paralajmëroi së fundmi ministri i Jashtëm moldav Mihai Popsoi./ DW

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?