Delia Ferreira Rubio, President of Transparency International

Transparency International: SHBA, Britania luftojnë ryshfetin e huaj, të tjerët më pak

13 Tetor 2020, 16:27| Përditesimi: 13 Tetor 2020, 16:30

  • Share

 

Organizata Transparency International me qendër në Berlin i renditi Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë si dy ndër eksportuesit më të mëdhenj të botës që janë më aktivët në zbatimin e rregullave të cilat ndalojnë kompanitë të paguajnë ryshfete në tregjet e huaja, por tha se shumë vende të tjera nuk bëjnë thuajse asgjë.

Organizata tha se në vitin 2019, vetëm katër nga 47 vendet që zënë 16.5% të eksporteve globale, SHBA, Britania, Zvicra dhe Izraeli, e zbatuan në mënyrë aktive legjislacionin kundër dhënies së ryshfetit për kompani të huaja.

Shifra shënon një rënie në krahasim me vitin 2018, kur shtatë vende, që zinin 27% të eksporteve botërore, i zbatuan aktivisht rregullat.

"Studimi ynë tregon se shumë vende rrallë e hetojnë ryshfetin e huaj," tha Gillian Dell, autorja kryesore e raportit.

Konventa e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e vitit 1997 ndalon dhënien e ryshfeteve për të fituar kontrata dhe licenca, ose për të shmangur taksat dhe ligjet lokale.

Kina, eksportuesi më i madh në botë, por që nuk është nënshkruese e konventës, sipas raportit e ndjek "pak ose aspak" këtë çështje. Në këtë kategori hyjnë edhe India si dhe dy anëtaret e Konventës, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Gjermania, eksportuesi i tretë më i madh në botë dhe nënshkruese e Konventës, e zbaton në mënyrë “të moderuar" legjislacionin. Po ashtu edhe eksportuesit e tjerë të mëdhenj si Franca, Italia dhe Spanja.

Në vitin 2019 Gjermania dhe Italia ndoqën ligjërisht më pak raste sesa në vitin paraardhës, ndërsa Franca dhe Spanja patën përmirësime.

"Shumë qeveri mbyllin njërin sy kur kompanitë e tyre përdorin ryshfetin për të fituar biznes në tregjet e huaja," tha Presidentja e organizatës Transparency International Delia Ferreira Rubio. "Vendet e G-20 dhe ekonomitë e tjera të mëdha kanë përgjegjësi për të zbatuar rregullat," tha ajo.

Rekomandimet e organizatës përfshijnë heqjen e sekretit mbi pronësinë e kompanive, i cili e bën të vështirë hetimin e ryshfetit të huaj. Ajo rekomandon gjithashtu që të shihet mundësia për të rritur përgjegjësinë e kompanive mëmë për veprimet e filialeve të tyre jashtë vendit./ VOA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?