4 persona janë vënë në prangat e policisë së Durrësit pasi transportuan me anije çisternë, nga Libia në Shqipëri, 2275 ton naftë kontrabandë. Në hetim janë vënë 6 bashkëpunëtorët e tyre. Anija me flamurin Kamerunas u ndalua që ditën e djeshme për të bërë verifikime. Ekuipazhi i anijes me emrin ‘Queen Majeda’ është libanez.
Si rezultat i operacionit të koduar “Ring” janë arrestuar në flagrancë personat e identifikuar si: Zuhair Alkuafi (kapiteni i anijes) 54 vjeç, Muajid Altabir, 25 vjeç, Amad Abushala, 43 vjeç, të tre banues në Libi dhe Badar Tezini, 25 vjeç, banues në Siri.
Gjithashtu po hetohen në gjendje të lirë 6 të tjerë të identifikuar si:
A. B., 43 vjeç, A. A., 46 vjeç, A. N., 40 vjeç, A. E., 53 vjeç, A. H., 21 vjeç dhe A. K., 29 vjeç, të gjithë banues në Libi.
Të gjithë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kontrabanduar nga Libia në Shqipëri, me një anije çisternë, 2275 ton naftë, e dyshuar kontrabandë. Ndërkohë po hetohet se kush ishte blerësi i sasisë së naftës që vinte nga Libia.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar anija çisternë, sasia e naftës dhe disa aparate celulare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontranda më mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, të kryera në bashkëpunim.
Operacioni u zhvillua pas hetimit disamujor nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe Policia Kufitare Durrës, me mbështetjen e Kapitenerisë Detare Durrës, Rojës Bregdetare dhe Autoritetit Portual Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.