Lamine Yamal do jetë mbajtësi i fanellës më të rëndësishme te Barcelona, asaj me numrin 10. Në moshën 17-vjeçare, talenti i jashtëzakonshëm po përjeton një moment historik, duke u vendosur në një linjë me emrat më të mëdhenj që kanë bërë histori me këtë fanellë legjendare.
Vendimi i klubit për t’i besuar Yamalit numrin 10 është shoqëruar me një bum marketingu, teksa fanella e tij po shitet në mënyrë masive në dyqanet zyrtare të Barcelonës, duke konfirmuar entuziazmin e tifozëve për të ardhmen e klubit.
Analistët dhe tifozët e shohin Yamalin si një nga kandidatët potencialë për fitimin e 'Topit të Artë', ndoshta që këtë vit, nëse arrin të shkëlqejë si me Barcelonën, ashtu edhe me Spanjën.
Historia e numrit 10 te Barcelona
Numri 10 te Barcelona nuk është thjesht një numër, por një simbol përgjegjësie, talenti dhe lidershipi. Këtu janë 10 nga lojtarët që e kanë veshur këtë fanellë ikonike ndër vite:
Maradona - Numrin 10 e ka mbajur edhe legjenda argjentinase. Diego Maradona mori menjëherë fanellën me numrin 10 pas mbërritjes së tij nga Boca Juniors.
Hristo Stoiçkov - Pavarësisht se luajti për Barcelonën për pesë sezone në fillim të viteve 1990, Stoichkov në fakt e mbajti numrin 10 vetëm për një pjesë të sezonit 1993-1994.
Roger García (1994–1996) - Një lojtar i akademisë që mori për pak kohë përgjegjësinë e numrit 10.
Lluís Carreras - Një emër më pak i njohur sot, por me një rol të rëndësishëm në fund të viteve ’90.
Angel Cuellar - Një nga “10”-at më të harruar në historinë e klubit.
Giovanni - Mesfushori brazilian luajti përkrah Ronaldos dhe solli magji në 'Camp Nou'.
Jari Litmanen - Finlandezi me teknikë dhe karakter, por me një eksperiencë të shkurtër.
Rivaldo - Fitues i 'Topit të Artë', ikonë e viteve 2000 dhe simbol i klasit brazilian.
Juan Román Riquelme - Një mjeshtër i mesfushës, por që nuk u përshtat plotësisht te Barça.
Ronaldinho (2003-2008) - Gjeniu që riktheu buzëqeshjen dhe lavdinë në 'Camp Nou'.
Lionel Messi (2008–2021) - Legjenda absolute. 10-shi më i madh i të gjitha kohërave.
Ansu Fati - I konsideruar si pasuesi i Messit, por që nuk arriti të përmbushë pritshmëritë.
Një kapitull i ri nis me Yamal
Tani është radha e Lamine Yamal të mbajë këtë peshë të madhe historike mbi supe. Me një talent që ka mahnitur që në moshë të vogël, ai është gati të hyjë në elitën e 10-ave legjendare të Barçës.
Komente
