21 sitet më të rëndësishme kulturore dhe arkeologjike të qytetit mbi 2400 vjeçar të Kosovës janë sjellë këtë herë një ekspozitë fotografike nën emrin “Trashëgimia e Prizrenit në Berat” në qendrën Mesjetare Kulturore.
Përmes paneleve në skica dhe fotografi, 21 monumente të veçanta të trashëgimisë së Prizrenit përshkruajnë evoluimin e trashëgimisë arkitekturore nga antikiteti e deri tek shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX.
Për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Berat, Eugen Kallfani, nisma është një mundësi e mirë për rritjen e bashkëpunimit dhe promovimin e përbashkët të vlerave kulturore e historike mes dy vendeve.
‘Kjo nuk është thjesht një ekspozitë, është një simbolikë e veçantë që ka në thelb bashkëpunimin mes dy shteteve tona. Shpresojmë që në një të ardhme të afërt, një ekpsozitë nga monumentet e spikatura të Beratit ta dërgojmë edhe në qytetin e Prizrenit.’- tha Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Berat Eugen Kallfani.
‘Kjo nismë vjen në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta kulturore,të nënshkruara nga dy Ministritë e Kulturës së dy shteteve tona. Ne jemi përpjekur që përmes 21 paneleve të prezantojmë disa nga asetet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.’- tha Samir Hoxha, Drejtori i Qëndrës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Prizren.
Ekspozita “Trashëgimia e Prizrenit” vjen në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Muzeve dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë në Qendrën Mesjetare të Beratit.