Kultura

“Trashëgimia është marka jonë”, projekti për shpirtëroren! Studim shkencor, rrëfim historish dhe krijime artistike! Promovim trashëgimisë shpirtërore me tregimin e historive

6 Mars, 13:23| Përditesimi: 6 Mars, 17:00

  • Share

Risjellja në vëmendje e trashëgimisë shpirtërore shqiptare është në qendër të projektit “Heritage is our brand” (Trashëgimia është marka jonë). I financuar nga Bashkimi Evropian ky projekt ka qëllim të angazhojë të rinjtë shqiptarë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore përmes tregimit të historive.  Ai do të nisë me një studim shkencor, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, për të evidentuar 20 -30 histori të trashëgimisë tonë shpirtërore, të cilat më pas do të kthehen në dokumentarë, animime, instalacione, ekspozita vizuale etj.

“Integrimi në BE është edhe integrim i vlerave, identitetit dhe krenarisë kombëtare të krijuara ndër shekuj. Kjo është një gjë e rëndësishme, që duhet përshëndetur dhe zhvilluar. Ne kemi mbështetur në disa mënyra trashëgiminë kulturore të Shqipërisë në mënyrë prekshme në ruajtjen dhe konservimin e trashëgimisë fizike, siteve historike e kulturore, muzeve arkeologjike etj. Por trashëgimia shpirtërore është pjesë e rëndësishme dhe do të jetë me interes të shohim se si fëmijët dhe të rinjtë do të mendojnë për të dhe se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe atë që përbën kulturën shqiptare.”, - thotë Andrea Ferrero, shefi i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social pranë delegacionit të BE-së në Shqipëri.", -thotë Andrea Ferrero, shefi i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social pranë delegacionit të BE-së në Shqipëri.

“Është gjithë ky zhvillimi i shpejtë që po ndodh tani, gjysma e shqiptarëve jetojnë në diasporë dhe nuk kanë shkolla për të mësuar shqipen, që është abc-ja e trashëgimisë jomateriale (që ende ka polemika sa e vjetër është), por fakti që është përcjellë kaq kohë edhe e pashkruar është vlerë e madhe dhe është keqardhje e madhe, që po humbet tashmë, me shumicën e shqiptarëve që jetojnë në diasporë. Me zhvillimin e shpejtë kapitalist as prindërit nuk kanë kohë të rrinë e të flasin me fëmijët për përcjelljen e legjendave ose baladave. Brezi i ri lexon shumë pak. Në shkollë shumë pak flitet për trashëgiminë jomateriale, për traditat, duket si diçka jashtë mode.”, - thotë Eva Kushova, drejtuese e DMO Albania, që është dhe nismëtare e projektit.

Megjithatë, kohët e fundit ka një tendencë për të nxjerrë më në pah këtë trashëgimi si pasojë e kërkesës në rritje të turistëve për të parë një gjë autentike shqiptare. Ndërsa sipas studiuesit Vasil Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Shqipëria ka bërë disa hapa pozitivë ndër vite në këtë drejtim, duke sjellë në vëmendje vitin 2003 kur për herë të parë u vendos përdorimi i konceptit të trashëgimisë kulturore jomateriale në ligjin për trashëgiimë kulturore, duke bërë, që të jemi ndër vendet e para që reflektuan zhvillimet evropiane lidhur me këtë trashëgimi. Shqipëria e ka plotësuar kuadrin ligjor në këtë drejtim dhe tashmë ka edhe Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, 29 shtatorin. Projekti do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe viti i dytë i tij ka të bëjë me edukimin dhe do të ketë një forum me mësuesit e Historisë dhe Letërsisë për t’ua prezantuar gjithë këto produkte dhe histori e më pas do të ketë një konkurs për nxënësit që të sjellin krijimet e tyre të bazuara në këto histori.

“Rëndësia e trashëgimisë për brezat është e jashtëzakonshme. Në një kohë kur procesi i integrimit evropian është i shpejtë, Shqipëria është e ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj rrezikut të humbjes dhe denatyrimit të trashëgimisë së saj mijëravjeçare, edhe për shkakun se familjet e mëdha shqiptare dhe zonat konservatore të kësaj trashëgimie janë dukshëm të ekspozuara ndaj ndikimeve të globalizmit, të emigrimit dhe migrimit të brendshëm të popullsisë.”, - thotë Vasil Tole.

Krahas nismave për evidentiminm, ruajtjen, studimin e trashëgimisë shpirtërore, sipas Toles, ka ende nevojë për nisma të reja ligjore, siç është nisma për hartimin e një ligji të ri për përdorimin e shqipes në funksione publike.

“Disa e keqkuptojnë këtë nismë, duke menduar që do të vendoset një lloj policie gjuhësore. Ndërkohë kemi detyrim të përbashkët që përdorimi i shqipes të jetë i duhuri, ndërkohë që dialektet do të vazhdojnë punën e tyre si pjesë e trashëgimisë jomateriale. Siç është emergjente edukimi lidhur me trashëgiminë në vend.”, - vijon studiuesi Tole.

Për nënkryetarin e Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, është shqetësuese që në vend mungon një dokument politikash se si duhet t’i qasemi trashëgimisë kulturore jomateriale, detyrë që iu përket Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe Akademisë së Shkencave.

“Ende nuk kemi të aprovuar një dokument politikash dhe një skemë të integruar të saj sa i përket transferimit dhe rëndësisë së trashëgimisë te brezat dhe elementë të edukimit të trashëgimisë, të ndërfutura në kurrikulat shkollore kryesisht të arsimit 9-vjeçar por edhe në gjimnaz.”, - vijon studiuesi.

Shqipëria ka një sërë pasurish të trashëgimisë kulturore jomateriale që janë pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, siç është isopolifonia, dukuria e transhumancës, kostumi i xhubletës malësore dhe së fundmi K’cimi i Tropojës. Ndërkohë, në rrugë e sipër për t’u bërë pjesë e listës janë edhe të tjera dukuri të trashëgimisë jomateriale, ndër të cilat edhe lahuta, dosja e së cilës është përmbyllur pas 15 vitesh.

 

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?