Katari

Tirana

Trazirat e Lindjes së Mesme, Katari model suksesi në Arabinë Saudite

6 Qershor 2018, 03:03| Përditesimi: 6 Qershor 2018, 03:05

  • Share

Për shumë njerëz, fjala Lindje e Mesme ngjall imazhe trazirash e dhune. Për vende si Siria kjo gjë mund të jetë e saktë, por në realitet Lindja e Mesme është shtëpia e një larmie të gjerë njerëzish dhe kulturash, përfshirë disa udhëheqës botërorë në fusha biznesi, arsimi e mjekësie.

Ndoshta në krye të listës është vendi i vogël dhe i pasur me naftë i Katarit. I vendosur në rajonin e Gjirit përgjatë Iranit dhe i kufizuar me tokë nga Arabia Saudite dhe me det nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari është bërë një pikë qendrore e përparimit arab, krenarisë dhe, çuditërisht edhe pakënaqësisë arabe. Që kur deklaroi veten si shtet i pavarur në vitin 1971, Katari u zhvendos shpejt nga statusi i "vëllait të vogël" midis shteteve të Gjirit, në një udhëheqës rajonal.

Në vitin 1995, Hamad bin Khalifa Al Thani pasoi babain e tij si Emir të Katarit. Ai dhe gruaja e tij e dytë, Sheikha Moza bint Nasser Al Missned, krijuan një vizion për vendin e tyre që përfshinte një standard minimal të jetesës, mundësi arsimore, kujdes shëndetësor të nivelit botëror dhe një ekonomi të fortë dhe të larmishme. Krijimi i një vizioni të rritjes së fortë dhe suksesit në vetvete nuk është diçka e pazakontë. Ekzekutimi i atij vizioni me saktësi dhe shpejtësi është gjë shumë më e rrallë.

Katari ofron liri civile për gratë në një mënyrë që shumica e shteteve arabe kurrë nuk e kanë lejuar. Këtë fakt e dëshmon edhe roli i madh i Sheikha Moza në përcaktimin e axhendës kombëtare. Ajo kryeson bordin e Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Zhvillimin e Komunitetit, dhe ajo nuk është simbolike në atë post.

Nën udhëheqjen e saj, Katari ka zhvilluar Qytetin Arsimor në Doha, që përfshin kampuset e disa prej universiteteve më prestigjioze të botës, mes tyre Georgetown, Texas A & M, Carnegie Mellon, Northwestern dhe Weill Cornell Medical College.

Fondacioni i Katarit ka kontribuar në krijimin e Qendrës së re mjekësore dhe kërkimore të Sidrës, një qendër e nivelit botëror, e cila është e para e këtij lloji në rajon. Spitali kryesor i dedikohet grave dhe fëmijëve dhe ka 400 shtretër.

Angazhimi i qeverisë për edukimin, kujdesin shëndetësor dhe mirëqenien e përgjithshme të popullit është vizionar, por ndoshta edhe më mbresëlënës është fakti se dy vjet më parë Katari dhuroi 10 miliardë dollarë për programet humanitare zhvillimore në të gjithë botën. Pothuajse gjysma e parave është shënjestruar për nismat e edukimit për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së ekstremizmit dhe dhunës.

Katari nuk është pa probleme, më e dukshmja nga të cilat është kriza diplomatike me shtetet e tjera arabe të Gjirit.

Katër nga këto vende, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, nisën një bllokadë ndaj Katarit më Qershor 2017, ndërkohë që lëshuan një listë me 13 kërkesa që duhet të plotësohen për të hequr bllokadën. Midis kërkesave ishte kufizimi i lidhjeve diplomatike me Iranin; shkëputja e lidhjeve të supozuara me organizatat terroriste; mbyllja e rrjetit televiziv Al Jazeera me bazë në Doha dhe e financuar nga Katari; pagimi i dëmshpërblimeve për çështje të kaluara; ndërprerja e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të vendeve fqinje; dhe një kërkesë që Katari të rregullojë politikën e saj ekonomike dhe të sigurisë me fqinjët e saj arabë.

Është një listë e mbushur plot absurditete dhe që "pikon" ironi.

Bllokada e udhëhequr nga Sauditët e ka detyruar Katarin të rrisë tregtinë dhe komunikimin me Iranin. Kërkesat për të respektuar sovranitetin e të tjerëve në fakt nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje për shkeljen e sovranitetit të Katarit. Al Jazeera mund të jetë e papërshtatshme, por gëzon një audiencë mbarëbotërore prej më shumë se 200 milionë shikues dhe vetëm shërbimi i saj në gjuhën angleze fitoi çmimin "Transmetuesi i Vitit" në Festivalin Ndërkombëtar të Nju Jorkut & Film Gala për të dytin vit radhazi.

Kjo (lista e kërkesave) është një stërvitje e vogël xhelozie dhe jo diplomaci aktuale, gjë që u ekspozua qartazi kur Emiratet e Bashkuara Arabe kërkonin që Katari të heqë dorë nga Kupa e Botës FIFA 2022, që është një nga ngjarjet sportive më të mëdha dhe më të spikatura në botë.

Shkëlqesia e saj Lulua Al Khater, zëdhënëse zyrtare e Ministrisë së Jashtme të Katarit, vuri në dukje se kur filloi bllokada "Katari nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Iranin".

"Katari i preu lidhjet me Iranin në solidaritet me Arabinë Saudite në vitin 2016, dhe merreni me mend se çfarë!? Në 2017, ishte Arabia Saudite ajo që i vendosi bllokadë Katarit dhe jo Irani" tha ajo. "Ishte Irani që na dha një vendkalim, vendkalimi i vetëm që kemi prej fqinjëve tanë…".

E pyetur nëse Doha mbështet ndonjë organizatë terroriste, qoftë Al Kaeda, Vëllazëria Myslimane, Shteti Islamik, Hamasi apo Hezbollahu, znj. Al Khater ishte e qartë: "Katari nuk mbështet financiarisht asnjë prej këtyre organizatave ... Katari asnjëherë nuk mbështeti Al Kaedën, kurrë nuk mbështeti Hezbollahun".

Ajo tha se Katari ka punuar shumë për të kufizuar ndikimin e Hezbollahut në luftën civile në Siri, ndërkohë që disa nga vendet e njëjta që tani i kanë shpallur bllokadë Katarit "nuk kanë luajtur ndonjë rol serioz në këtë gjë".

Ekonomia e Katarit është e fortë, pavarësisht nga varësia e saj e madhe ndaj naftës, me PBB për frymë në 526 % të mesatares globale. HE Muhamed Al Sada, Ministri i Katarit për Energjinë dhe Industrinë, tha se ka një plan të qartë dhe të bashkërenduar për të diversifikuar ekonominë, përfshirë shtimin e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm natyral.

Vitin e kaluar shfrytëzimi i gazit u rrit me 11 % dhe vazhdon të rritet ", - tha ministri, "dhe ne po përgatitemi për rritje të vazhdueshme".

Ministri vuri në dukje se vetëm pak vite më parë, 60 % e ekonomisë së Katarit ishte e bazuar mbi naftën dhe gazin. Tani kjo është poshtë 40 % falë përpjekjeve për diversifikimin e ekonomisë.

"Po vlerësojmë mundësitë në projekte petrokimike, ilaçe, pajisje mjekësore. Po shohim edhe industrinë e turizmit, sektorin e shërbimeve, sektorin e ndërtimit etj... Këto janë pjesë të rëndësishme të ekonomisë sonë sot".

Organizimi i Kupës së Botës në Katar është gjithashtu pjesë e vizionit të përcaktuar për herë të parë nga Emiri Baba Hamad bin Khalifa, dhe tani është përshpejtuar nga djali i tij Tamim bin Hamad Al Thani, Emiri i vendit që nga 2013.

Botërori FIFA 2022 jo vetëm që do të sjellë për herë të parë qindra mijëra vizitorë në Katar, por gati 3.5 miliardë njerëz pritet të shikojnë të paktën disa nga ndeshjet nëpërmjet televizionit. Me këtë lloj audience, Emiri 37-vjeçar ka promovuar zhvillimin e vendit të tij me shpejtësi të madhe. Më parë, parashikohej që projektet e mëdha infrastrukturore të përfundonin në njëzet apo tridhjetë vite, tani janë duke u realizuar për shtatë vjet falë Botërorit të ardhshëm. Rrugë të reja, ndërtesa qeveritare, hotele, shërbim metro-hekurudhor dhe shumë më tepër, të gjitha po përfundojnë kohë përpara afatit të tyre fillestar.

Ajo që e dallon Katarin nga shumica e kombeve është një vizion i qartë dhe një ekzekutim jashtëzakonisht efektiv i atij vizioni. Dëshira për të qenë më i miri, për të investuar në të ardhmen, për të kërkuar ekspertë në çdo fushë nga e gjithë bota dhe për të respektuar traditat e vjetra dhe ndjeshmëritë fetare, ndërsa njëkohësisht përqafon botën moderne – nuk është asgjë më pak se e mahnitshme.

Pavarësisht nëse është arkitektura, infrastruktura, mundësitë arsimore, ngjarjet sportive, kujdesi shëndetësor dhe një bibliotekë e re kombëtare, Katari është i angazhuar qartë për të qenë më i miri.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?