Trazirat në Niger! Junta merr vendimin, mbyll hapësirën ajrore për shkak të rrezikut

7 Gusht 2023, 13:54| Përditesimi: 7 Gusht 2023, 15:06

  • Share

Ushtarakët e grushtit të shtetit në Niger kanë mbyllur hapësirën ajrore të vendit deri në njoftimin e dytë, duke përmendur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake nga fqinjët e tyre, shkruan BBC. Faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24 tregon se aktualisht nuk ka avionë në qiellin mbi Niger.

Liderët e grushtit të shtetit të Nigerit kanë mbyllur hapësirën ajrore të vendit deri në një njoftim të dytë. Ky vendim u mor me argumentin e kërcënimit të ndërhyrjes ushtarake nga fqinjët e tyre.

Grupi i vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, kishte paralajmëruar më herët se mund të përdorte forcë nëse Presidenti Mohamed Bazoum nuk rikthehej në detyrë deri në orën 23:00 të dielën.

Faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24  tregon se nuk ka asnjë avion në qiellin e Nigerit.

Më herët, mijëra mbështetës të juntës u mblodhën në një stadium në kryeqytetin Niamey, duke brohoritur për vendimin për të mos iu nënshtruar presionit të jashtëm.

Një zëdhënës i juntës thotë se forcat e armatosura të Nigerit janë gati të mbrojnë vendin.

Bazoum u arrestua më 26 korrik dhe gjenerali Abdourahmane Tchiani, komandant i gardës presidenciale më vonë e shpalli veten lideri i ri.

Shefat e mbrojtjes të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore kishin rënë dakord për një plan të mundshëm veprimi ushtarak, duke përfshirë edhe faktin se kur dhe ku do të godasin, nëse presidenti i arrestuar, Mohamed Bazoum, nuk lirohej dhe rikthehej brenda afatit.

Grushti i shtetit, i shtati në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore në tre vjet, ka tronditur rajonin e Sahelit, një nga më të varfrit në botë. Duke pasur parasysh pasuritë e tij me uranium dhe naftë dhe rolin e tij kryesor në një luftë me militantët islamikë, Nigeri ka rëndësi për SHBA-në, Evropën, Kinën dhe Rusinë.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?