Spitali i Fierit po përballet këtë fillim tetori me fluks të grave dhe vajzave që bejne ekografi dhe mamografi. Mjekja onkologe veren me shqetësim se mosha e të prekurve nga kanceri i gjirit po ulet nën 40-vjec. Sëmundja nuk prek vetëm gratë por dhe burrat.
“Kanceri i gjirit është më i shpeshtë tek gratë 50–70 vjeç, por po vihet re rritje e rasteve edhe tek gratë nen 40 vjeç dhe në raste të rralla tek moshat më të vogla. Në një numër të vogël të rasteve edhe tek meshkujt aktualisht në qytetin tonë janë të diagnostikuar dy tre pacientë me kancer gjiri tek burrat. Ndërkohë në spitalin e fierit ofrohet dhe shërbimi i kemioterapisë”, tha Anisa Mone, mjeke onkologe
Faktorët janë të shumtë, ndërsa mjekja thekson se ka një rritje të përgjithshme të sëmundjet malinje.
“Ka të bëjë me shtimin ekspozimit ndaj faktorëve kancerogjen siç është jeta sedentare, mënyra të ushqyerit, përdorimi kontraceptiv dhe hormonal. Por dhe me emancipimin e gruas, lindjet në mosha të mëdhaja, mosushqyerjen e fëmijëve me gji edhe faktorët gjenetikë. Vihet re gjithashtu një rritje e numrit të përgjithshëm të sëmundjeve malinje, jo vetëm e kancerit të gjirit”, shton ajo.
Gjatë muajit tetor, spitali i Fierit ofron mamografi falas, pa referim nga mjeku i familjes.
“Bëjmë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për kontrolle të rregullta që të zbulohet që në ekzaminimet imazherike në ekografi dhe në mamografi përtej shfaqjes së shenjave kutane ku secila grua mund t'i dallojë edhe vetë ndryshimet në pasqyrë. Prandaj sa më shumë kontrolle të bëjmë aq më e lartë është mundësia që ta zbulojmë në fazë të hershme dhe të shërohemi nga kjo sëmundje”, mbyll mesazhin e saj mjekja.
Komente
