TIRANË- Çështja McGonigal ishte e vetmja ‘betejë politike’ që deri më tani kishte bashkuar dy kampet e Partisë Demokratike. Një pjesë e deputetëve të grupit të Enkelejd Alibeajt kishin deklaruar se do të merrnin pjesë në protestë për shkak të skandalit me agjentin e FBI-së, por qëndrimi i Sali Berishës ditën e sotme ka tërhequr nga kjo lëvizje tre deputetë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nuk do të marrin pjesë në protestë Ferdinant Xhaferraj, Agron Gjekmarkaj dhe Kreshnik Çollakun.
Report Tv ka siguruar bisedat që deputetët e grupit parlamentar kanë bërë në grupin e WhatsApp-it për çështjen e protestës. Xhaferraj ka thënë se nuk do të marrë pjesë pasi Berisha nuk mund t’iu diktojë se kush do të shkojë në protestë dhe se nuk mund të arrihet bashkëpunimi mes dy palëve duke vendosur kushte.
“Unë kisha deklaruar nisur nga skandalet e qeverisë që do marrë pjesë në protestë. Por sot pashë zotin Berisha që vuri kushte duke kërkuar që kryetari i grupit parlamentar z. Alibeaj nuk pranohet në proteste. Z. Berisha nuk mund të na diktojë qëndrimet dhe nuk mund të bashkëpunojë duke na vendosur kushte. Duke përjashtuar kryetarin e grupit synohet të shkrihet ekzistenca jonë dhe parimet që jemi ndarë deri më tani. Unë nuk do marr pjesë në protestë”, ka shkruar Ferdinand Xhaferraj.
Qëndrimit të Xhaferrajt i është bashkuar Çollaku dhe Gjekmarkaj.
“Bashkohem me qëndrimin e Ferdinantit. Përjashtimi i deputetëve me emra të përveçëm nga pjesëmarrja është provokim për te gjithë ne”, ka shkruar Kreshnik Çollaku.
“Unë nuk kam dhënë ndonjë konfirmim që do jem ndaj e kam shumë më të thjeshte për të mos qenë”, ka shkruar Agron Gjekmarkaj.
Gjatë konferencës së ditës së sotme, Berisha tha se vetëm dy persona nuk janë të miërpritur, ‘Lul Brava’ dhe ‘Ali Basha’, referuar këtu Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.