Qytetarët e Tiranës për tre ditë më rradhë patën mundësinë të shohin nga afër dhe të bashkëbisedojnë me sportistët më në emër në Shqipëri, teksa në sheshin ‘Nënë Tereza’ u organizua evenimenti ‘Java Europiane e Sportit’. Një kënd i veçantë sportiv ishte për njerëzit me aftësi ndryshe, ndërsa në shesh nuk munguan as fëmijët e shkollave, por edhe sportistët e të ardhmes.
“Une sot u ushtrova për shtanga, bëra joga, ngrejta shtanga 2,5 dhe 10 kilogramë. Bëra edhe gjëra të tjera,”-u shpreh një fëmijë.
“Më pëlqeu shumë aktiviteti dhe do doja të kishte më shumë,”-tha një tjetër fëmijë.
“Sot mësuam të bëjmë joga dhe gjëra sportive të tjera,”-deklaroi një tjetër fëmijë.
“Unë merrem me sportin e xhudos dhe kam rreth 6 vite që e praktikoj. Është një mundësi e veçantë të stërvitesh në natyre sepse është më ndryshe se rutina jonë e përditshme. Jemi gjatë gjithë kohës në stërvitje të palestra ose liqeni, por këtu në shesh në ambient ndryshe është diçka e bukur për ne, por edhe për të tjerët të cilët mund të vijnë të shohin,”-u shpreh një sportist i xhudos.
Tre ditët, nga data 28 deri më 30 shtator, ishin koha dhe hapësira më e madhe e dedikuar ndonjëherë për sportin, ndërsa u fol edhe për nutricionizëm, teknologji dhe mjekësi sportive.
“Këtu janë të akomoduara të gjitha disiplinat sportive, të gjitha aktivitet sportive përreth sheshin ‘Nënë tereza’. Janë të gjitha fushat e sportit si mjekësi sportive, turizmi sportiv, por edhe të gjitha federata sportive. Është e hapur dhe e lirë për të gjithë qytetarët të cilët duan të vijnë të bashkohen,”-Gjergj Muzaka, drejtor i sportit në Bashkinë Tiranë.
Ky aktivitet i mbajtur për herë të parë u organizua nga bashkia Tiranë në kuadër të Tiranës ‘Qyteti Europian i Sportit’.