Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci-Uka
Tre fëmijë të infektuar me COVID-19 janë të shtruar në Klinikën e Pediatrisë në Kosovë, pranë QKUK-së. Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci-Uka ka bërë me dije se një fëmijë 2 vjeç është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është i shtruar në spital prej një jave, ndërsa prej ditës së sotme është intubuar.
Grajqevci-Uka tha për mediat kosovare se gjithashtu një fëmijë 7 muajsh dhe një tjetër 7 vjeç po marrin trajtim spitalor si pasojë e infektimit me virusin. Teksa thekosoi se fëmijët nuk kanë asnjë sëmundje shoqëruese.
“Momentalisht në repartin COVID në Klinikën e Pediatrisë janë të hospitalizuar tre fëmijë, dy fëmijë prej tyre janë në gjendje stabile. Fëmija për momentin është me respirator dhe deri më tani para dy orëve ka qenë me CPAP dhe për shkak të përkeqësimit mjekët e repartit e kanë vendosur së bashku me anesteziolog me respirator dhe është në gjendje mjaftë të rëndë. Mosha e fëmijës është dy vjeçare, është gati 1 javë që qëndron në Klinikën e Pediatrisë momentalisht është pranuar në repartin Intensiv për shkak të gjendjes së rëndë. Këta dy fëmijët tjerë njëri është shtatë muaji dhe tjetri është 7 vjeçare, gjendja e tyre momentalisht është stabile janë pranuar mbrëmë por po vazhdojnë me trajtim spitalor”, u shpreh Grajqevci-Uka për KosovaPress.
Vetëm gjatë muajit gusht, 55 fëmijë janë shtruar në Klinikën e Pediatrisë në Kosovë, ndërsa që prej janarit drejtoresha e Pediatrisë tha se janë shtuar 110 fëmijë që kishin rezultuar pozitivë me koronavirusin.
“Trajtim ambulator gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën e Pediatrisë këtë javë e kemi diçka më të qetë, më së shumti kemi pasur diku deri në 12 raste gjatë 24 orëve të trajtimit dhe që janë të diagnostikuar me COVID por që nuk kanë kërkuar trajtim spitalor por vetëm trajtim ambulator. Javën e kaluar kemi pasur më shumë për arsye se ndoshta vala ka qenë më e shpeshta e rasteve që janë lajmëruar në Klinikën e Pediatrisë me COVID pozitivë diku deri 22 fëmijë kemi pasur me COVID që janë deklaruar në Ambulancën e pranimit. Diku deri në 50 fëmijë gjatë gushtit kanë qenë të hospitalizuar me COVID-19 duke marr parasysh që prej janarit e deri më tani diku janë më shumë se 110 fëmijë të hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë që janë diagnostikuar me COVID-19”, tha Grajqevci-Uka.
Lajmi kryesor:
Kosovë, 28 viktima dhe 920 raste të reja nga koronavirusi
SI.E./ReportTv.al