Kukësi fitoi 0-2 me Erzenin për javën e tetë të Superligës. Në transfertën e "Niko Dovana" vendosën golat e Basa dhe Barbosa, nga një në secilën pjesë. Pas ndeshjes foli edhe trajneri i Kukësit, Enkeleid Dobi. Durrsaku merr fitoren e tretë në stolin e skuadrës verilindore, teksa për Oversport tha se nuk është ende skuadra e tij.
“Janë shumë të rëndësishme pikët në situatën ku jemi. Loja ka qenë momentale. Erzeni na vuri në vështirësi, vuajtëm, por e duruam presionin. Goli i dytë na dha më shumë qetësi. Erzeni tregoi sot se i ka fituar në fushë pikët dhe na vuri në vështirësi. Dua të përgëzoj edhe ekipin tim që vuajti dhe më pas shënoi edhe golin e dytë që na dha tre pikë të çmuara. Kishim punuar për këtë sfidë, kishim studiuar kundërshtarin dhe e menaxhuam mirë lojën dhe treguam edhe pjekuri. Ndonëse kishim shumë vështirësi. Morëm një fitore të vuajtur. Kërkova kujdes për kartonët, sepse u ndëshkuam shumë shpejt disa lojtarë. Duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të mos bëjmë faulle të panevojshme.
Objektivat e Kukësit pas kësaj fitoreje? A është kjo skuadra e Dobit? Nuk është akoma skuadra e Dobit, është skuadra e Kukësit. Unë duhet që të menaxhoj sa më mirë këtë grup. Nuk shoh larg, por ndeshjen e radhës. Kukësi gjithmonë ka pasur pretendime të mëdha.
Egnatia e Duros ndeshja e radhës? Trajneri i ri sjell entuziazëm, ka mënyrën e tij të punës. Por nuk ka ndikim te ne, duhet të shohim lojën tonë”, tha Dobi pas ndeshjes.