TIRANË - Partizani luan nesër (e mërkurë, 5 mars) kundër Vllaznisë në Shkodër. Sfida e "Loro Boriçit" vlen për raundin e 28-të në Superligë dhe merr jetë në orën 16:30.
Në prag të këtij takimi foli edhe drejtori Arbër Abilaliaj, që në emergjencë ka zënë postin e trajnerit te Partizani. Edhe shkarkimi i Veselinovic nuk duket "ilaçi" për "Demat", që kanë tre humbje radhazi.
Abilaliaj u ndal te kalendari i ngjeshur dhe koha që lojtarët duan të përshtaten me skemën e re të lojës, si edhe ndryshimet e bëra në ekip gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Humbja me AF Elbasanin - Humbje që na djeg, duke pasur parasysh si u zhvillua kryesisht pjesa e parë e lojës. Pastaj situata dhe episode që ishin kundër ekipit tonë, ndoshta determinuan rezultatin e asaj ndeshje. Ishim përgatitur për rezultat të mirë. Gjithesi jam i kënaqur me progresin që ka bërë ekipi në faza të caktuara të lojës. Ka shumë punë për të bërë, por është kapitull i mbyllur dhe jemi fokusuar te ndeshja e radhës.
Ndeshja kundër Vllaznisë? Në Superligën shqiptare të gjitha ndeshjet janë të vështira, kanë historinë e vet, episodet e veta. Përballë kemi një ekip, i cili është në situatë komode, lufton për objektivat e veta, ka pasur qëndrueshmëri gjatë sezonit. Ne i dimë shumë mirë cilësitë tona dhe të ekipit që drejtoj, kudo që të luajmë dhe shkojmë, do shkojmë për të marrë maksimumin.
Kalendrari - Ne po kalojmë një tur force duke pasur parasysh dhe të gjitha vështirësitë që kanë ndodhur në klub. Me ndryshimin e trajnerit, filozofisë së lojës, shumë gjëra që duan kohën e vet për t’u automatizuar dhe për t’u bërë më të mira në fushën e lojës, të gjitha lëvizjes. Fakti që luajmë dhe jashtë, kaq shumë ndeshje, duhe të udhëtojmë përsëri, luajmë çdo 3 ditë. Dhe nga ana mentale është goxha sforco. Sido të jetë, duhet të shikojmë çdo ndeshje, çdo centimetër fushë në sy, për të marrë maksimumin kudo dhe më këdo që luajmë.
Gjendja - Ne e shikojmë gotën gjithnjë gjysmë plot, duke pasur parasysh që me performancën dhe mundësitë që ka ekipi, mund të shkojë akoma më lart. 'Final Four' nuk e kemi diskutuar asnjëherë, nuk dua ta diskutoj, pavarësisht si rrodhën ngjarjet në një ndeshje teke në Elbasan. Jam tej mase i bindur duke pasur parasysh dhe mënyrën si punojnë këta djem, kualitetin që ka gjithsecili prej tyre. Është moment, siç e kanë pasur të gjitha skuadrat e tjera, moment për t’u kaluar, moment që na bën edhe më të fortë duke qenë bashkë me njëri-tjetrin, për të kaluar këtë moment “jo”.
Kthesa dhe këshillat për ekipin - Do kërkoja më shumë vëmendje. Në fushë situata të cilat kanë qenë ndoshta edhe të evitueshme ose të cilat, lihen në interpretim të dashamirësisë apo jo të arbitrave, u kam kërkuar që ekipi të jetë i kujdesshëm në këtë prizëm. Edhe ndeshjen që kaloi, ekipi kundërshtar ka ardhur vetëm një herë në portë. Do doja më shumë vëmendje, detaje që pastaj ndryshojnë dhe rrjedhën e lojës. Uroj me këtë rast të jemi më vigjilent, të kujdesshëm dhe patjetër pastaj, të gjitha gjërat e mira që shfaqëm në Elbasan duhet t’i mbajmë, t’i kultojmë dhe shfaqim edhe në Shkodër”, tha Arbër Abilaliaj.
Me 40 pikë pas javës së 27-të, Partizani ndodhet për momentin në pozitën e katërt, ndërsa Vllaznia me 46 pikë mban vendin e tretë. Veç tyre, edhe Egnatia kryesuese përballet nesër kundër Dinamos në Rrogozhinë, me gjithë zonën "Final 4" që kanë përballje mes tyre.
Komente
