TIRANË- Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri më 8 tetor për shpalljen e kandidatura. Në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht këtë të mërkurë garën.
“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.
Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë.
“I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani.
Prania e përfaqësuesve të ambasadës amerikanë tregon se, ashtu siç 3 vite më parë kur u zgjodh Dumani nën monitorimin e ish ambasadores amerikane Yuri Kim, edhe këtë herë ky proces do të ketë vëmendje ndërkombëtare.
Vetëm pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. I gjithë procesi, që nga kriteret e deri të votimi, është i normuar i detajuar në nenet 37 dhe 38 të rregullores së KLP e miratuar në shtator të vitit 2023.
Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.
Pas bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.
Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i SPAK zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë.
Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.
Paralelisht me zgjedhjet e kreut të SPAK, po zhvillohet edhe procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht 7 kandidatët e mbetur për këtë pozicion po kalojnë në filtrin e verifikimit të figurës dhe pritet që shpejt Prokuroria e Posaçme të çojë një emër në KLP.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli sot vakancën për postin e kreut të ri të SPAK, pasi Altin Dumanit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK, me përjashtim të Altin Dumanit dhe Arben Krajës, të cilët e kanë mbajtur këtë post.
Të gjithë prokurorët e SPAK që kanë interes për të kandiduar, kanë afat deri më 6 tetor për aplikimin.
Përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë mbërritur sot në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në mbledhjen që zhvillohet sot në hapje të garës për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Komente

Pushteti perdor gjithcka dhe kedo!
PërgjigjuAdnan Xholi e meriton te jete ne krye te SPAK, nuk i eshte perkulur asnjehere krimit dhe nuk eshte perfshire ne afere korruptive.
Përgjigjupo ca i keni keto kritere mo aman, jo te ket kete jo te kete ate, duhet kutptuar qe te gjithe aty e kane kapacitetin per te drejtuar dhe e mira do ihste qe te ishte me rotacion pa shume formalizma, po pse o mirela bogdani do e vleresoje se kush duhet te jete drejtues i spak, kush e njeh mirelen e kupton sa kot eshte, jepte histori institucionesh ne fakultet dhe se kishte haberin fare. deshtim total me krijimin e KLP do mbidhe pedagoget te vleresojne punen e prokurorit pupupu ose ubububu
PërgjigjuA thu se do ta mendoje vete Mirela me shoke. Po ca ti thone o ti…
Nga e nxore mirela bogdanin këtu or buf.