Kronikë

Dumani drejt ikjes/ KLP hap garën për drejtuesin e ri të SPAK, kandidatët 3 javë afat për aplikim! Në mbledhje përfaqësues të Ambasadës së SHBA

17 Shtator, 09:30| Përditesimi: 17 Shtator, 11:12

  • Share

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të SPAK, i cili do të zëvendësojë Altin Dumanin, mandati i të cilit përfundon në muajin dhjetor. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, u miratua projektvendimi që i hap rrugën zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme.

Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat 3 javë për aplikimin, pra deri më datë 8 tetor.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë. 

“I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK
a) Eksperiencë në ndjekjen e çështjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar
b) Eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture;
c) Eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative;
ç) Eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike, dhe ndërveprim me median,
d) Aftësitë në drejtimin efektiv të burimeve njerëzore,
dh) Vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv,
e) Imazhin publik të karrierës së tij/saj si prokuror.

Ashtu siç parashikohet dhe me ligj, gara është hapur 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Altin Dumani i cili është zgjedhur për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 18 dhjetor 2022. Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019 ndërsa Altin Dumanit në dhjetor 2022. Dumani e mori drejtimin në një moment kur pritshmëritë e publikut ishin rritur ndjeshëm dhe presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta ishte më i fortë se kurrë.

Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish-ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.

Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë më parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ora 11:08
Kush janë prokurorët që mund të zëvendësojnë Altin Dumanin në krye të SPAK?

 

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli sot vakancën për postin e kreut të ri të SPAK, pasi Altin Dumanit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK, me përjashtim të Altin Dumanit dhe Arben Krajës, të cilët e kanë mbajtur këtë post. 

Të gjithë prokurorët e SPAK që kanë interes për të kandiduar, kanë afat deri më 6 tetor për aplikimin. 

Prokurorët e Posaçëm që mund të kandidojnë për kreun e ri të SPAK
1-Adnan Xholi
2-Anita Jella
3-Alfred Shehu
4-Behar Dibra
5-Bledar Maksuti
6-Doloreza Musabelliu
7-Dorina Bejko
8-Dritan Prençi
9-Edvin Kondili
10-Elida Kaçkini
11-Elvin Gokaj
12-Ened Nakuçi
13-Enkeleda Millonai
14-Klodjan Braho
15-Manjola Kajana
16-Ols Dado
17-Sotir Kllapi
18-Vladimir Mara
Ora 09:57
Hapja e garës për drejtuesin e SPAK, përfaqësues të Ambasadës Amerikane mbërrijnë në mbledhjen e KLP-së (VIDEO)

 

Përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë mbërritur sot në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në mbledhjen që zhvillohet sot në hapje të garës për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

K.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Akili: 17/09/2025 11:21

    Pushteti perdor gjithcka dhe kedo!

    Përgjigju
  • Lezhjani: 17/09/2025 11:20

    Adnan Xholi e meriton te jete ne krye te SPAK, nuk i eshte perkulur asnjehere krimit dhe nuk eshte perfshire ne afere korruptive.

    Përgjigju
  • fallco: 17/09/2025 10:52

    po ca i keni keto kritere mo aman, jo te ket kete jo te kete ate, duhet kutptuar qe te gjithe aty e kane kapacitetin per te drejtuar dhe e mira do ihste qe te ishte me rotacion pa shume formalizma, po pse o mirela bogdani do e vleresoje se kush duhet te jete drejtues i spak, kush e njeh mirelen e kupton sa kot eshte, jepte histori institucionesh ne fakultet dhe se kishte haberin fare. deshtim total me krijimin e KLP do mbidhe pedagoget te vleresojne punen e prokurorit pupupu ose ubububu

    Përgjigju
    • Jo e sakt: 17/09/2025 12:00

      Nga e nxore mirela bogdanin këtu or buf.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?