Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po tregohet gjithnjë e më tepër i vëmendshëm ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kalojnë në sitën e Vettingut. Janë të paktën tre raste domethënëse kur ONM ka treguar një nivel më të lartë profesionalizmi sesa organet shqiptare të Vettingut. Rasti i parë është ai i kryeprokurores Arta Marku, e cila edhe pse kaloi Vettingun pati rezerva te qenësishme nga ONM. Mungesa e Arta Markut në seancë përpara KPK shqetësoi përfaqësuesin e ONM, Theo Jacobs, i cili nuk ngurroi të deklaronte se kryeprokurorja tregoi mungesë lidershipi. Për numrin një të prokurorisë shqiptare mungesa e lidershipit duhet të përbënte një problem edhe më të madh sesa problemet me pasurinë por kjo rezervë e ONM-se nuk u mor parasysh nga KPK e cila konfirmoi në detyrë kryeprokuroren.
Rasti i dytë lidhet me anëtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili para komisionit të Vettingut rezultoi me një sërë problemesh. Atij iu zbulua një dënim në Itali për vjedhje në supermarket te cilin Thanza nuk e kishte deklaruar në formular, ndërsa përpara KPK-së pati deklaruar se aktin e kishte kryer kunata e tij, por ai e mori përsipër për nipin e sëmurë që po kurohej nga një sëmundje e rëndë në Itali. Por ky rast flagrant nuk u kap nga organet tona te vettingut por nga asistenca e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që zbuloi këtë dënim të padeklaruar nga Thanza. Në këtë rast KPK vendosi shkarkimin e gjyqtarit Admir Thanza. Rasti i tretë lidhet me një tjetër gjykatës të nivelit më të lartë, pikërisht Bashkim Dedja anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht se KPK e shpalli të denjë për të vazhduar detyrën sot në një zhvillim të papritur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar që vendimi i konfirmimit në detyrë të apelohet.
ONM u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin e KPK për Bashkim Dedjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët shqiptarë Publikë edhe pse kishin hapësirën ligjore për ta paraqitur vetë ankimin nuk e bënë. Por a do të mjaftojë rekomandimi I ONM për të zgjuar Komisionerët publike mbetet për t’u parë deri në datë 28 korrik kur skadon dhe afati për ankimim. Të treja keto raste tregojnë se filtrat e ONM funksionojnë më mirë se filtrat e komisioneve shqiptare të Vettingut. Duke pare kete realitet a nuk do te kishte qene me mire qe ONM te mos kishte vetem rol rekomandues por edhe rol vendimmarres per te patur nje rezultat te pakontestueshem nga ky proces Vettingu?