Tre organizata kërkuan anulimin e hidrocentralit të Skavicës, Gjykata Kushtetuese: Në këtë fazë s'ka projekt për shqyrtim, u cenua e drejta për informim

30 Janar, 16:30| Përditesimi: 30 Janar, 21:44

  • Share

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e 3 shoqatave që kërkonin rrëzimin e ligjit dhe të vendimit të qeverisë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, si të papajtueshëm më Kushtetutën dhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Në vendimin e publikuar këtë të martë, gjyqtarët unanimisht arritën në përfundimin se deri në këtë fazë, ende nuk ka një projekt konkret për Skavicën që të mund të merrej në shqyrtim.

Gjykata thotë se deri në këtë fazë është shkelur e drejta për informim të grupeve të interesit.

"Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore."

Kushtetuesja thekson se qeveria dhe Kuvendi nuk kanë informuar publikun, detyrim që duhet ta garantojnë në vijim.

"Këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it."

Në konkluzion Gjykata vlerësoi se duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje. Sa i përket kërkesës për rrëzimin e VKM për miratimin e kontratës teknike mes KESH dhe Bechtel Gjykata vendosi se nuk mund ta shqyrtoje pasi nuk përbën akt me karakter normativ. Pas këtij vendimi të Kushtetueses puna për Skavicën mund të vijojë me planin e parashikuar, ndërsa nuk përjashtohet ridërgimi në Kushtetuese pas kalimit në fazën konkrete të ndërtimit.

Qeveria e cilëson hidrocentralin e Skavicës si projektin më të rëndësishëm dhe më strategjik për sektorin energjetik shqiptar, të cilën është gati për ta bërë realitet”, si dhe me fitime të drejtpërdrejta në energji, punësim, turizëm dhe ekonominë kombëtare”. Sipas të dhënash jozyrtare, diga mund të shkojë mbi 440 metra e lartë me një kosto mbi 500 milionë euro.

HEC-i do të ndikojë në përmirësimin e situatës së përmbytjeve gjatë dimrit në zonën e nën Shkodrës dhe do të luajë një rol të rëndësishëm edhe për hidrocentralet e tjera ekzistuese në kaskadën e Drinit. Për projektin, ka pasur disa protesta nga banorët e Dibrës të cilët kërkojnë ndërprerjen e punimeve me arsyetimin se një projekt i tillë rrezikon më shumë se 30 fshatra në Dibër, zona kufitare me Skavicën

NJOFTIMI I PLOTË 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues: shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:

Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.

Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.

Në lidhje me themelin, gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus.

Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,

Vendosi:

1)      Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

2)      Urdhërimin e  autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

3)      Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Artur: 30/01/2024 18:49

    Kjo Gjykatë ka marr fund! Ku anëtarë të saj janë disa dordoleca që jo vetëm janë pa karrakter por nuk kanë as njohuritë ligjorë por të qenë anëtarë të saj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?