Emergjencat civile në bashkinë e Fierit kanë marrë masa për përballimin e situatave në pyje dhe ullishta. Duke iu referuar numrit të lartë të zjarreve përgjatë muajve janar-qershor por edhe eksperiencës së sezonit të kaluar veror, është vendosur që ekipet dhe mjetet zjarrfikës të instalohen në tre zona të ndryshme përgjatë gjithë verës.
Për nënkryetarin e bashkisë së Fierit Vasil Bregu, këto masa pritet t’i japin avantazh zjarrfikësve në betejat e pritshme me zjarret.
'Në bashkinë e Fierit gjatë 15 ditëve të fundit të muajit Qershor, si rezultat e temperaturave të larta, ka pasur disa vatra zjarresh nga papërgjegjshmëria e disa fermerëve të veçantë që kanë bërë djegjen e të korrurave, të cilat në shikimin tonë dhe pasqyrimin tonë janë një element shumë i dëmshëm që i bëjnë tokës, prandaj u bëj thirrje fermerëve që nuk duhet të bëjnë djegje, sepse krahas dëmeve të tjera fiken edhe mikroorganizmat ë tokës. Në këto kushte, ne kemi marrë masa duke e kaluar me shërbimin e zjarrfikësve me drejtoritë zjarrfikëse në gadishmëri të përforcuar. Njëkohësisht është nxjerrë edhe plani i masave në bashkëpunim me drejtoritë pyjore për krijimin e drejtuesve. Njëkohësisht kemi nxjerrë urdhrin e kryetarit të bashkisë për zhvendosjen e dy-tre mjeteve zjarrfikëse në zonat më emergjente, të cilat ne i kemi konsideruar sidomos zonat ë bregdetit ku janë masivet pyjore.
Në Darezezë dhe Seman kemi vendosur një mjet zjarrfikës 24 orë pranë këtyre objekteve. Njëkohësisht kemi vendosur edhe një mjet tjetër zjarrfikës në krahun verior të bashkisë, në fshatin Verri, për të pasur në mbikëqyrje gjithë masivin pyjor që është në zonën e Mbrostarit dhe të Ardenicës. Njëkohësisht krahun tjetër që kemi më të rrezikuar, sidomos në jug, që janë komuna Cakran dhe Levan dhe Frakull, kemi një mjet tjetër zjarrfikës që është përqendruar afër ish-Azotikut për të qenë sa më afër këtyre objekteve në rast e zjarreve', tha ai.
Shkaktarë kryesorë të zjarreve në Fier janë temperaturat e larta dhe fermerët "dembelë". Këta të fundit vazhdojnë praktikën e pastrimit të tokave nga barërat duke u vënë flakën këtyre të fundit. Por në temperatura të larta dhe erëra të forta, situata shpesh del nga kontrolli duke bërë që zjarri të përfshijë pyje dhe ullishta.
'Ne u kemi bërë thirrje që të ndalin këtë lloj pastrimi sepse në fund të fundit është ë dëmshme edhe për tokën përveçse rrezikojnë pasuritë dhe jetët ë të tjerëve... Masat ndaj fermerëve që shkaktojnë zjarre janë të ashpra, policia dhe prokuroria po i ndjekin rast pas rasti', tha ai.
Ekipet zjarrfikës në Fier janë pajisur me mjete dhe forca shtesë prej një viti, duke parë se situata me zjarret ishte e vështirë të përballohej.
Ndërkohë, lidhur me rastet e zjarrve policia thotë se: Për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", janë evidentuar 12 raste, të ndara si më poshtë: 5 raste pemë frutore, bimë dhe hamull; 3 raste ku janë djegur automjete; 1 rast lokal; 3 raste shtëpi (një prej tyre motiv i dobët). Për këto raste janë proceduar gjithsej 13 shtetas, nga të cilët 11 të arrestuar në flagrancë dhe 2 në gjendje të lirë. Për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr nga pakujdesia", janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas.
Komente
