Marrëveshja me Pfizer dhe furnizimi me vaksina anti COVID, Ilir Meta dekreton aktet normative të miratuara në Kuvend: Transparenca është thelbësore

27 Janar 2021, 12:53| Përditesimi: 27 Janar 2021, 14:40

  • Share

Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar paraditen e sotme tre vendimet e rëndësishme të Qeverisë në lidhje me marrëveshjet e vaksinimit, të cilat kaluan në Kuvend seancën e kaluar.

Bëhët fjalë për Aktin Normativ për t'i dhënë autorizimin ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anticovid-19, të cilët janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë; Aktin Normatin për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë"; Aktin Normativ për miratimin miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për “Prodhimin dhe furnizimin ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik”.

Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca bëhet me dije se Meta i bën thirrje Qeverisë, që nëpërmjet një plani të qartë dhe efikas të angazhohet seriozisht me të gjitha burimet, për mbulimin e nevojave të popullsisë për vaksinim, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe përmes një protokolli shëndetësor të sigurtë, që garanton ruajtjen e vaksinës në parametra të sigurt, me qëllim efektivitetin e saj.

"Kreu i Shtetit thekson domosdoshmërinë e informimit të duhur të qytetarëve për vaksinën dhe karakteristikat e saj, sipas rregullave, që normojnë këtë proces me kaq rëndësi. Transparenca është thelbësore në demokraci, veçanërisht në luftën kundër kësaj pandemie tepër të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve", thuhet në njoftim.

Tre marrëveshjet e rëndësishme u miratuan me shumicë të madhe votash pro në seancën e datës 18 janar, e cila nisi edhe sesionin e ri parlamentar, të fundit të kësaj legjislature. Parlamenti i miratoi me 94 vota tre aktet normative për sigurimin e vaksinës anti COVID, edhe pse seanca u shoqërua me debate të shumta për sa i përket transparencës, mungesën e së cilës e pretenduan deputetët e opozitës.

Në atë seancë Kryeministri Rama premtoi se procesi i vaksinimit synohet të mbyllet brenda 14 muajve dhe zbuloi se sapo është firmosur marrëveshja me Pfizer për 500 mijë dozat e para. Marrëveshja me Pfizer u mbajt e fshehtë, por kryeministri Rama tha se ka lënë hapësirë edhe për marrëveshje të tjera me vaksinat që pritet të marrin miratimin në nivel europian si ajo AstraZeneca. Për të hequr cdo dyshim, kryeministri paralajmëroi se mbërritja e dozave të tjera të vaksinës do jetë tërësisht transparente. 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?