Ekonomi

Tregtia dhe turizmi rrisin fitimet, prodhimi ‘Made in Albania’ shënon rënie në 5 muajt e parë të vitit

9 Gusht, 15:58| Përditesimi: 9 Gusht, 17:10

  • Share

Më pak prodhim ‘Made in Albania’ e më shumë import. Kurthi i ekonomisë së bazuar në shërbime, kryesisht në turizëm apo dhe në industrinë ndërtuese, po godet prodhimin vendas dhe nga ana tjetër favorizon blerjen e produkteve jashtë.

Në një raport të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave për situatën makroekonomike dhe financiare në 5-mujorin e parë të këtij viti, tregohet se sektori i prodhimit është i vetmi me rënie për këtë periudhë.

“Sektorët bazë të ekonomisë kanë rritje në qarkullim në krahasim me 5-mujorin 2024, evidentuar kjo nga rritja e TVSH bruto të deklaruar, me përjashtim të prodhimit”, thuhet në raportin e Ministrisë.

Sipas raportit, nga TVSH-ja brenda vendit u mblodhën 305 milionë euro në këtë 5-mujor, 73 milionë euro më shumë se vjet, ku faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritje ishin mirëadministrimit tatimor, shtimi i konsumit dhe rritja e të ardhurave për të gjithë sektorët me përjashtim të prodhimit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i deklaruar nga sektori i prodhimit që ka brenda prodhimin bujqësor, blegtoral, përpunimin e qumështit e deri tek prodhimi industrial, ishte 66 milionë euro ose 2.4 milionë euro më pak se vjet.

Ndërsa dy sektorët me rritjen më të madhe janë ndërtimi me 20% krahasuar me vjet ose 67 milionë euro TVSH dhe transporti që është rritur me 15%.

Për shkak të rënies së prodhimit, edhe fitimet e sektorit të prodhimit janë në rënie me 23% në këtë 5 mujor të parë të vitit.

Nga janari deri në maj, fitimet e këtij sektori ishin 71 milionë euro, nga 92 milionë euro vjet në të njëjtin 5-mujor.

Mungesa e prodhimit vendas duket se është mbushur nga importi, pasi sektori i tregtisë ka njohur rritje të fitimit me 20%.

Në total, tatimi mbi fitimin, thotë Ministria e Financave, në 5-mujor ishte 285 milionë euro, ose 18 milionë euro më pak se plani.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do 'ripushtohen' sërish?