Policia e Tiranës bastisi zyrat e disa platformave të cilat tregtonin dekordera që transmetojnë kanale televizive vendase dhe të huaja, të cilat operatorë të ligjshëm dhe të licencuar i ofrojnë me pagesë.
Policia sekuestroi 200 aparatura dekoder tokësor dhe satelitor, vuri në pranga 3 persona dhe shpalli në kërkim një të katërt. Hetimi në gjendje të lirë nisi për 7 punonjës, mes të cilëve 4 vajza.
'Si rezultat i tij u bë ndalimi i shtetasve: F. L., 55 vjeç, A. M., 50 vjeç, dhe E. B., 70 vjeçe, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit E. S., 21 vjeçe, E. Hj., 35 vjeç, A. Gj., 43 vjeçe, D. M., 23 vjeçe, G. D., 33 vjeç, G. P., 26 vjeçe, E. T., 21 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë, dhe u shpall në kërkim shtetasi J. V., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, tregtonin në subjektet e tyre tregtare, aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, dhe për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, u gjetën 200 aparate dekoderash, të modeleve të ndryshme tokësore dhe satelitore, dhe transmodulari që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave, me listën e kanaleve specifike, si dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve, nëpër subjektet e shpërndara.'- njofton policia.
Në aksion morën pjesë krimi ekonomik, forcat operacionale dhe krimi kibernetik nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës, ndërsa përveç piraterisë drejtuesit e këtyre platformave akuzohen se kanë shmangur edhe detyrimet fiskale ndaj shtetit.
Efektivët sekuestruan edhe transmodularin që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave.