Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mostrajtimin me oksigjen të pacientëve të prekur me koronavirus dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi.
Meta tha se situata shëndetësore e shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.
Ai shtoi se kjo është arsyeja që është këmbëngulur që trajtimi me oksigjen teknikisht të certifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital.
“Është e rrezikshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut. Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik. Përgjegjësit para ligjit!”, shkruan presidenti në fund të postimit.