“Ne duhet të gjejmë burime të tjera për energjinë, gazin”, u shpreh para dy ditësh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa foli për sanksionet që BE ka marrë kundrejt Rusisë për luftën e nisur.
Misioni për të gjetur burime të tjera, pra shtete të tjera për tu furnizuar me energji, naftë, gaz apo grurë tanimë është më i domosdoshëm se kurrë.
Që prej datës 24 shkurt 2022 kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës, tregu ndërkombëtar i energjisë elektrike, ka pësuar një rritje drastike të çmimeve.
Bazuar edhe në bursën HUPX, çmimi i energjisë, në 3 mars do të arrijë në 335.86 euro për megavat, nga 290.63 euro për megavat që regjistroi këtë të mërkurë, duke u shtrenjtuar nga dita në ditë me 65.23 euro për megavat.
Nga ana tjetër në raport me fillimin e luftës në 24 shkurt kur çmimi ishte 178.4 euro për megavat, energjia është shtrenjtuar 157.46 euro për megavat.
Një rritje e tillë e menjëhershme e energjisë elektrike vjen për faktin se rreth 35-40% e furnizimit me gaz natyror të Evropës sigurohet nga Rusia, dhe duke i bllokuar aktivitetin këtij shteti në kuadër të sanksioneve janë ulur edhe sasitë e gazit që sigurohen prej shtetit rus.
Rritja e çmimit të energjisë pak ditë më parë u konfirmua edhe nga qeveria shqiptare e cila i qëndron zotimit për të mos lejuar që fatura e kripur të prek familjet dhe bizneset e vogla.