Ora shënonte 09:00, kur unë, paciente e shtruar në pavionin e dermatologjisë, kati i 3-të i Urgjencës Kombëtare në QSUT, dola në një nga lokalet përballë spitalit… jo për kafe, por për të kryer nevojat bazike fiziologjike.
Sepse në pavion ka vetëm një banjë për burra e gra bashkë, për dhjetëra pacientë. Një banjë ku s’ka kushte as për të larë duart.
Lavamani është aty, por është gjithmonë i papastër; pastrueset e turneve përpiqen si heroina mes mizerjes, por është mision i pamundur. Dush? Nuk ekziston.
Mundësi për t’u larë pacientët që rrinë me ditë të tëra? Zero.
Është absolutisht skandaloze dhe e papranueshme që në një pavion spitalor në këtë kohë, në qendrën më të madhe spitalore të vendit (QSUT), pacientët të detyrohen të dalin jashtë ose të gjejnë mënyra alternative vetëm për të kryer një nevojë bazike fiziologjike.
Një banjë e vetme për të gjithë pavionin, e përbashkët për burra dhe gra, nuk është thjesht çështje e mungesës së komoditetit, por:
- shkelje e të drejtave të pacientit,
- cenon dinjitetin njerëzor,
- rrit rrezikun e infeksioneve spitalore dhe tregon neglizhencë të rëndë institucionale ndaj kushteve elementare higjieno-sanitare.
Në vendet ku zbatohet ligji i shëndetësisë sipas standardeve europiane, një situatë e tillë do të ishte objekt i një hetimi urgjent nga Inspektorati Shëndetësor.
Dhe spektakli vazhdon: Për të bërë një injeksion, infermierja më lidhi krahun me një dorezë plastike, sepse mjetet mjekësore bazike mungojnë. U ankova. Përgjigjja? “S’kemi mjete.”
Arsyetimi “s’kemi mjete” është alarmues: do të thotë se pavioni është i zhveshur nga baza më minimale e materialeve që kushtojnë qindarka krahasuar me miliona eurot që thuhet se janë investuar.
Pra, në vitin 2025, pas një investimi prej 17 milionë eurosh që u përurua me bujë në prill të vitit 2023, pacienti i pavionit dermatologjik (pavion që duhej të ishte shembull për higjenë) del jashtë spitalit për të defektuar, ndan një banjë të vetme për gra e burra, dhe trajtohet me doreza plastike në vend të turnikës.
Mungesa e mjetit elementar për injeksion (rrip i dedikuar mjekësor), duke përdorur një dorezë njëpërdorimëshe si zëvendësim, është antistandard mjekësor, rrezik për pacientin dhe një tjetër shkelje e dinjitetit.
Deri dy ditë më parë thosha: “mirë Onkologjiku, se është ndërtesë e vjetër, e harruar, ndaj i ka banjot për faqe të zezë, mungojnë shtretërit për të bërë kimioterapinë (vetëm 17 shtretër për 100 paciente në ditë!!!).
Por tani… jemi në godinën e re të Urgjencës Kombëtare, e ndërtuar me miliona, dhe realiteti është po ai: një banjë për të gjithë, një lavaman i ndyrë, një dorezë plastike që bën punën e mjekësisë moderne.
Ky nuk është më vetëm turp. Ky është tragjizmi i shëndetësisë shqiptare: të sëmurët që vuajnë, të poshtëruar edhe nga kushtet. Në vend që të kurohen, ata luftojnë me mizerjen, me mungesën e higjienës, me absurditetin.
Ky është realiteti i vitit 2025, dreqi ta hajë. Në krah të Urgjencës është hapur një gropë gjigante, ku pritet të ndërtohet spitali i ri. Uroj që ky investim të mos mbetet vetëm propagandë, por të ngrihet me standardet e kohës.
Pacientët kanë nevojë për kushte dinjitoze, jo për fasada milionëshe. Është koha që të ndërtohen spitale për njerëzit, jo për fotot e përurimeve. Ps: pas ankesave për mungesën e kushteve, një nga bluzat e bardha më tha: ti qenke tip që se do spitalin. Qesha me zë të lartë. Ishte për të qeshur./Marrë nga profili në Facebook i autores
Komente

Ketu ku jetoj,cdo dhome spitali ka lavaman me vete me uje te ngrohte e te ftohte,ka dush me vete.Aneksi i dushit nuk eshte shume i madh,vetem 3 veta nxe njekohesisht,pra pacientin e nje apo dy infermjere qe ndihmojne me larjen e tij,ka WC me vete.S.d.q nuk eshte hera e pare qe degjojme histori te tilla te zymta nga realiteti shqiptar,por duket se aty moj zonje eshte koha e fasadave,jo e kushteve e ndoshta kjo eshte nje nga shkaqet ne listen e stergjate te arsyeve se perse largohen shqiptaret.
PërgjigjuShendetesia qe deshem. Dhe dalin ato bibat ministre qe cakton piktori deshtak dhe na mbushin mendjen nepr tv se sa me fat jemi per investimet e qeverise.
PërgjigjuKe shumë të drejtë zonjë për çfarë shkruan. Është fiks fare kështu siç e ke përshkruar. Ke vetëm një pasaktësi, ajo gropa e madhe është parking dhe hotel. Jo spital
Përgjigju