Tri breza artistesh, “Gra që frymëzojnë”, u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës në Teatrin e Operas, për të celebruar 8 Marsin e përcjellë mesazhe sensibilizuese...
“Jemi të gjitha gra, ku krahas punës, na ka lidhur pasioni. Pasioni i grave që janë sot pjesë e institucioneve tona, ose që kanë qenë më herët. Dhe kjo është edhe e bukura, që të gjitha këto gra bashkë, edhe të frymëzojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Një trëndafil në shenjë mirënjohje, për Verën, Simonën, Abigelën, e të tjera gra të institucioneve të kulturës, që ia kanë dalë të vendosin shenja barazie tej gjinisë, në art e kulturë e më gjerë...
“Dhe tani besoj që muret e sallës së Operas, kumbojnë nga zërat tanë, nga kërcimet e balerinave, e gjithçka që kemi lënë në këtë institucion të mrekullueshëm, ku kemi nostalgjinë më të madhe”, u shpreh Irini Qirjako, e cila ka qenë në këtë Teatër si pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Festohet për ato që ia dolën, e përmes poezisë e muzikës, artistet inspirojnë ato gra e vajza që ëndërrojnë të bëhen pjesë e letërsisë, kinematografisë, Operas a teatrit, për t’i dhënë më shumë shkëlqim skenës së arteve... por edhe paskuintave.