Nis nga e marta e 14 marsit e deri më 13 qershor besimtarët katolikë nga Shkodra apo Lezha që frekuentojnë kishën e Laçit do të kenë mundësi të udhëtojnë me tren.
Kjo linjë hekurodhore e vetmja për transportin e udhëtareve në vend rikthehet pas kërkesës së lartë vitin e kaluar. Udhëtimi me tren është i ngadaltë, por me çmim të lirë. Bileta vajtje ardhje nga Shkodra në Laç kushton 155 lek, ndërsa nisja bëhet çdo të martë në orën 06:00 dhe kthimi nga Laçi në orën 13:00.
Duke patur parasysh eksperiencën e vitit të kaluar, kur adoleshentët thyen xhamat, Drejtoria e Hekurudhës ka kërkuar ruajtjen e trenit me policë.
Mijëra besimtarë vizitojnë çdo vit kishën e Shna Ndout, kryesisht gjatë 13 të martave të shenjta, që nisin më 14 Mars deri më 13 qershor.