Politikë

VIDEO/ ‘Treni i ri bullgar’ i zbuluar nga PD, kaloi para syve të komisionerëve demokratë! Rreziku i një blofi tjetër të Berishës

10 Qershor, 18:58| Përditesimi: 10 Qershor, 19:35

  • Share

Sali Berisha, u shfaq sot nga selia blu duke prezantuar një tjetër video, e cila sipas tij vërteton se procesi zgjedhor u manipulua përmes fenomenit të trenit bullgar. Sërish, skenari i pretenduar, është zhvilluar në Peqin, aty ku një video e shfaqur pak javë më parë, po nga PD, me të njëjtin pretendim, rezultoi një blof.

Këtë herë, sipas PD, bëhet fjalë për qendrën e votimit nr. 2246 në fshatin Blinas në Peqin, një qendër votimi në lokal, ku në pamje të parë shfaqet një djalosh që duket se vulos një fletë votimi, në banakun e lokalit.

“Nuk besoj se lë më shteg për dyshimin më të vogël përdorimi i Trenit Bullgar në këto zgjedhje si njëri nga mekanizmat e falsifikimit të rezultatit në farsën elektorale”, tha Berisha. Por edhe këto video ngrenë shumë pikëpyetje serioze, për të qenë një skenë e vërtetë krimi elektoral.

Fillimisht e çuditshme është se si një djalosh “shëtit” lirshëm në qendrën e votimit, përpara gjithë komisionerëve, përfshirë atë të PD, ndërsa roli i tij është i paqartë. Në banakun e lokalit, dallohen disa fletë letre që sipas PD janë fletë votimi, por që nga pamjet, nuk kuptohet se çfarë janë. Njërën prej fletëve të pretenduara, fillimisht djali e merr në dorë e palos dhe e hedh në koshin e plehrave. E habitshme , sepse hedhja e një flete votimi, krijon problem për të gjithë komisionin, sepse në fund llogaritë do të zbulonin mungesën e saj.

E paqartë është po ashtu se çfarë kërkonin fletët e votimit në banakun e lokalit, ndërsa në një moment tjetër të videos, djali shfaqet teksa lëviz nga banaku drejt një tavoline dhe merr një vulë për të vulosur fletën. Pastaj, një tjetër lëvizje dhe merr edhe vulën e dytë dhe në pamje shfaqet teksa e vulos për herë të dytë fletën. Më pas, djali e palos fletën, dhe me të në dorë del lirshëm nga qendra e votimit në ambientet e jashtme. Një moment që sërish nuk përputhet me teorinë e trenit. Djaloshi, qartazi, as që e ka idenë, e asaj që pretendon PD, sepse në rast të kundërt ai do të duhej të kishte bërë kujdes të mos e shihte askush që po dilte me fletë në dorë, si të ishte një faqe gazete.

Treni bullgar është një proces shumë i fshehtë që përdoret për manipulimin e votave, por habia në këtë rast është se djaloshi jo vetëm që shëtit lirshëm nëpër qendrën e votimit, por i gjithë procesi i manipulimit, siç pretendon Berisha, ka ndodhur në sy të vëzhguesve dhe komisionerë të Partisë Demokratike, të cilët janë të pranishëm në qendër të votimit gjatë gjithë këtij procesi. Në atë rrëmujë të plotë që shfaqet në video, ku një pjesë e komisionerëve qëndrojnë të ulur ne cep të dhomës e jo në tavolinën me materialet zgjedhore, të tjerë që pinë kafe e lëvizin pas banakut, duket se nuk është e nevojshme asnjë përpjekje për “tren bullgar”, por mjaftonte të mbushje fletët. Me qetësinë me të cilën djaloshi “trenist” luan me gjithshka gjen përqark, nuk duket të ketë asnjë pengesë për ta bërë një gjë të tillë. Madje, në një tjetër sekuencë videoje, ai shfaqet teksa vendos një tjetër kryq mbi një “fletë votimi”, të cilën tashmë nuk e merr më, por e lë mbi tavolinë.

“Kemi të bëjmë me një dëshmi flagrante të nxjerrjes së fletës së parë dhe ai që vjen me atë fletë, ai e hedh atë në kuti, ajo është e mbushur dhe fletën e vet e merr, del jashtë dhe ia jep tjetrit. Kështu me radhë garantohet rezultati. Të gjithë detyrohen të votojnë fletën e mbushur. Nxjerr fletën bosh ai...”, tha Berisha. Por në fakt, nga pamjet që ai vetë publikoi në qendrën e votimit nuk shfaqet më tej, asnjë person që të hyjë për të votuar.

Në pamjet e servirura nga PD, nuk dallohet as kutia e votimit dhe as dhoma e fshehtë, ku zgjedhësit futen me fletën e votimit për të votuar dhe më pas për ta hedhur atë në kuti.

Në pamjet e publikuara nga Berisha nuk dallohet as ora kur ka ndodhur ngjarja. Normalisht pamjet e kamerave të sigurisë, kanë edhe orën dhe datën e xhirimeve, e për këtë rast do të ishin me rëndësi për të kuptuar dinamikën e ngjarjes së pretenduar, sepse mund të ketë ndodhur para ose pas orarit zyrtar të votimit, dhe ato fletë të pretenduara, si me blofin e denoncuar para pak javësh, prapë nga PD në Peqin, mund të mos jenë fare fletë votimi origjinale po thjesht fotokopje për të trajnuar komisionerët.

Çfarë është treni bullgar?

Treni bullgar” nënkupton një teknikë klasike të mashtrimit zgjedhor. Mjafton që vetëm një fletë votimi origjinale dhe me vulën e KQZ, e paplotësuar, të dalë në mënyrë të paligjshme, jashtë qendrës së votimit. Sapo ajo del jashtë qendrës, plotësohet nga subjektet e interesuara për një kandidat a parti të caktuar. Fleta i jepet një votuesi me të cilin është rënë dakord paraprakisht për këtë skemë të paligjshme. Ai hedh në kuti fletën e para-plotësuar, ndërsa fletën që i jep komisioni zgjedhor, e fsheh dhe nxjerr sërish jashtë qendrës së votimit duke e dorëzuar te organizatori. Këtu rifillon cikli, por PD pavarësisht akuzave, nuk ka mundur të vërtetojë me prova asnjë rast.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?